
ABI Bank ka reaguar sërish ndaj publikimeve të portalit JOQ, duke e akuzuar atë për gjobëvënie, shpifje dhe sulme të organizuara ndaj institucionit financiar dhe drejtuesve të tij.
Përmes një deklarate publike, banka pretendon se ka refuzuar një kërkesë prej 120 milionë lekësh, të cilën e cilëson si “gjobë”, ndërsa shton se pas këtij refuzimi janë intensifikuar sulmet dhe akuzat ndaj saj në media dhe rrjete sociale.
Sipas ABI Bank, publikimet e fundit përmbajnë pretendime të pavërteta që lidhen me çështje si pastrimi i parave, lidhje politike, investime në Zvërnec apo aktivitetin e drejtuesve të bankës.
“JOQ në sulmin e radhës ndaj ABI ka miksuar pretendime të ndryshme, të cilat i konsiderojmë mashtrime dhe shpifje të sponsorizuara”, thuhet në deklaratë.
Banka shprehet se prej vitesh sektori bankar në Shqipëri është përballur me publikime që sipas saj synojnë të dëmtojnë reputacionin e institucioneve financiare dhe të drejtuesve të tyre, ndërsa kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë fenomenin e asaj që e quan “gjobëvënie mediatike”.
Reagimi i plotë
ABI Bank ka refuzuar të paguajë gjobën 120 milionë për një portal gjobaxhi
Pronarët e JOQ, të nxitur nga reagimi i papritur i ABI Bank ndaj mashtrimeve të tyre, kanë vendosur të shtojnë dozën e shpifjeve ndaj ABI dhe drejtorit të përgjithshëm. Kërkesa “gjobë” prej 120 milionë në vit nuk u eci, kështu që tani do tregojnë dhëmbët me mashtrimet e radhës.
Me sa duket nuk janë mësuar të ballafaqohen publikisht me aktivitetin e tyre gjobëvënës në mënyrë sistemike prej shumë e shumë vitesh.
Për të shuar kuriozitetin e atyre që nuk janë ndeshur me mafiozët e shtypit, natyra e punës e çdo mafiozi mediatik është shumë e thjeshtë. Kanë tre lloje gjobash. Një kur gjejnë hallexhinj kriminelë, dy kur një biznes normal bën një gabim të paqëllimtë, dhe tre i vetmi faj është qe biznesi është i suksesshëm financiarisht. Mesazhi për të gjithë bizneset është që “ne do shpifim deri sa ju të paguani”.
I gjithë sistemi bankar është sulmuar vazhdimisht me histori mashtruese zhvatjes, grabitjesh, falimenti, që pas pak ditësh apo javësh, ose fshihen ose shtohen në varësi të pagesës së gjobës. Drejtorët e bankave me eksperiencë dhjetëra vjeçare në treg përfliten pa siklet si spiunë, agjentë, kodoshë e lloj-lloj sharjesh e mashtrimesh. Punonjësit e bankave etiketohen të gjithë si zhvatës dhe hajdutë. Në lajmet e publikuara në gjuhë të ndryshme mashtrimet shtohen pasi mafiozët e dinë që sistemi i drejtësisë nuk ka çfarë t’u bëjë. Në emër të mbrojtjes së lirisë së shtypit gjendet fare normale të sulmohen bizneset e ndershme. Asnjë nga punonjësit e bankave (përfshi drejtorët) që shahen nuk janë persona publikë.
Abuzimi me shtrirjen e “lirisë së shtypit” përtej pjesës publike dhe ne biznese është një nga plagët e tranzicionit. Portale te listuara jashtë vendit dhe ligjërisht anonime kanë të drejtë të gjobisin kë të duan dhe kur të duan. Ndoshta fillimi I fundit te tranzicionit do te filloje te zgjidhe këtë abuzim flagrant me te drejtën e shprehjes dhe ndëshkimit të shpifjes për bizneset.
JOQ në sulmin e radhës të “sponsorizuar” ndaj ABI, e pa të arsyeshme të miksojë mashtrimet historike dhe të momentit: “pastrimi i parave”, “Serbia me tre gishta”, “paratë ruse”, “ABI i Rilindjes”, “tokat në Zvërnec” dhe (më e lezetshmja në fakt) “drejtori kamerier” që “bleu dy banka për 143 milionë euro”.
Të gjitha këto janë mashtrime te servirura nga hallexhinjtë realë të reformës në drejtësi që thjesht duan të heqin vëmendjen nga hallet e tyre. Mafiozët e shtypit janë “vrasës” kriminelë ordinere (online) me pagesë. Hallexhinjtë disa herë i telefonojnë e disa herë i takojnë mafiozët e shtypit me udhëzimet se si duhet të përbalten bizneset e ndershme dhe cili është mashtrimi më në modë i momentit. Kuptohet që Zvërneci, Amerika, pastrimi i lekëve dhe SPAK janë shumë kërcitëse këto ditë. Instruksioni është shumë i thjeshtë: një mashtrim miks me mashtrime që i përshtaten momentit. Pas disa muajsh jam i bindur që mafiozët mediatikë siç e kanë zakon do vijnë t’iu tregojnë vetë porositësit. Gjithmonë e mbajnë mend shumë mirë dhe me detaje se kush u tha të mashtronin dhe kur.
Mafiozët e shtypit tashmë e kanë zgjeruar vendodhjen. Një rri në Tiranë dhe është polici i keq, një tjetër rri diku tjetër (ka raste mbase në Miami) dhe ky është i arsyeshmi. Disa e kanë biznesin e vogël, disa të regjistruar si jofitimprurës. Mbase diku në Europë, mbase në Estoni. Disa jetojnë në adresa modeste në Tiranë, disa në ndërtesa 40 mijë dollarë metri katror (si për shembull ndoshta në Miami).
ABI Bank ka qenë një nga mbështetësit e hershëm të reformës në drejtësi. Do të ishte një ditë e bekuar për të gjithë biznesin e ndershëm shqiptar dita kur mafiozët e shtypit të thirren nga kjo reformë për të treguar se si paguhen, sa paguhen, sa taksa paguajnë, sa lajme kriminelësh varrosin, sa lajme mashtruese të sponsorizuar nga konkurrentë hallexhinj publikojnë. Disa herë sipërmarrës të ndershëm e kanë ngritur çështjen e zgjerimit të aktivitetit të SPAK në hetimin e mediave mafioze. Shpesh herë është raportuar se si mafiozët mediatikë janë përdorur në mënyrë agresive nga pjesa e errët e shoqërisë. Koha do ta tregojë se kush media dhe kush biznes ka halle për të zgjidhur. Ne po ashtu do të provojmë aftësinë e drejtësisë së re për të hetuar gjobat e portaleve të shtypit mbi biznesin.
ABI Bank ka rreth 1,000 punonjës dhe 100,000 klientë. Asnjëherë axhenda e ABI Bank nuk ka qenë politike. Bordi i ABI ka mirepritur profesioniste qe kane qene apolitike, republikane, demokratë, socialistë dhe ambientaliste (nga më të njohur në Europë). Shume nga punonjësit e ABI kanë qenë të përfshirë me forca të ndryshme politike dhe jemi shumë krenarë për këtë. ABI Bank ka partnerë të mirënjohur dhe me reputacion të mrekullueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe të regjistruar me autoritetet më të larta (SEC) bankare amerikane. ABI Bank është një lider i padiskutueshëm në sektorin e turizmit në Shqipëri me dhjetëra hotele të financuara nga Velipoja në Ksamil, Tiranë apo fshatra të turizmit malor. Përkushtimi i ABI në ndërtimin e veprave të mëdha të infrastrukturës është i mirënjohur në ekonominë shqiptare.
Këto janë të vërtetat e thjeshta dhe të mëdha të ABI Bank që kurrë nuk do ta përlyeje logon e vet në faqet e portaleve mafioze.
PS- ABI prej shumë kohësh është mbështetësi kryesor i një fondacioni të mirënjohur bamirësie. Një nga arsyet që nuk pranuam të paguajmë 120 milionë leke gjobë ishte se gjoba është e përafërt me mbështetjen vjetore të këtij fondacioni që vërtet bën punën e Zotit duke ndihmuar shtresat më vulnerabël. Më mirë të dyfishojmë ndihmën ndaj fondacionit, menduam. (A2 Televizion)