Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ashtu siç kishte deklaruar në daljet publike nuk e ka anatemuar vendimin e drejtësisë për të, por është paraqitur sot në SPAK duke zbatuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” që GJKKO vendosi në ngarkim të tij.
Beqaj ka qëndruar më pak se 10 minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Në dalje ai ka refuzuar t'i përgjigjet interesit të medias për çështjen e koncesionit të sterilizimit, ku ai po hetohet për “shpërdorim detyre”.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës, u bë publike edhe vendimmarrja e GJKKO, ku gjyqtari Erjon Bani përveçse la në fuqi dy masat e sigurisë ndaj Beqajt, duke iu referuar provave të paraqitura nga SPAK, konstatoi se ka dyshim të arsyeshëm që në cilësinë e ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-drejtuesit të autoritetit kontraktor që lidhi kontratën e koncesionit të sterilizimit, ai ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Nisur nga ky konstatim, GJKKO vlerëson si të arsyeshme se masa e duhur e sigurisë që Prokuroria e Posaçme duhet të kishte kërkuar për ish-ministrin Beqaj do të ishte “arresti me burg”.
“Gjykata vlerëson se për personin nën I.B. masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin e tij, marrjen dhe vërtetësinë e provave, si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Ka vend për të dyshuar racionalisht se, personi nën hetim I.B. ka nevojë të sigurohet, për t’i caktuar një masë sigurimi personal, për të garantuar vijimësisht prezencën e të dyshuarit në procedimin penal në ngarkim të tij, si për të siguruar normalitetin e hetimit dhe të gjykimit në çështjen në ngarkim të tij, dhe për të siguruar që ai të mos largohet, të fshihet por t’i nënshtrohet ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit kur vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë.” (A2 Televizion)