Gjykata lë në fuqi detyrimin e paraqitjes, Beqaj mbron koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2023, 13:30 | Aktualitet

Gjykata e Posaçme ka vendosur, këtë të hënë, të lërë në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ish-ministri u paraqit në GJKKO nën shoqërinë e avokatit të tij Ermal Yzeiri në seancën e parë gjyqësore, lidhur me hetimet e nisura për koncesionin e sterilizimit.

VENDIMI I GJKKO:

"Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 127 Akti, datë 20.11.2023, vendosi: Vazhdimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, me vendimin Nr. 119, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar."

Beqaj u prononcua për mediat pas seancës duke rishprehur qëndrimin për të mos kundërshtuar vendimin e drejtësisë, që po ashtu i ka ndalur daljet jashtë vendit, pavarësisht rezervave që ka ndaj procesit hetimor.

Kam vetëm dy mesazhe për të përcjellë. Së pari siç e kamë bërë publike edhe pardje, unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor dhe kam vendosur përtej opinionit që mund të kem apo rezervave të avokatëve të mi, të mos e kundërshtojë atë vendim”, tha Beqaj.

Më tej ish-ministri mbrojti koncesionin e sterilizimit të pajisjeve shëndetësore, duke thënë se çdo ditë i kursen shtetit shqiptar 2.4 ditë qëndrimi në spital të pacienteve.

Së dyti unë vazhdoj të besoj se çfarë kemi bërë në Shëndetësi ka qenë një gjë e mirë dhe ka sjellë ndryshim rrënjësor për shërbimin shëndetësor të shqiptarëve. Për çështjen në fjalë në janar bëhen 8 vjet që hetohet. Në këto 8 vjet, çdo ditë në të gjitha sallat kirurgjikale të Shqipërisë, 400 kirurgë operojnë në kushte bashkëkohore, sterile. Çdo vit rreth 60 mijë shqiptarë operohen dhe në çdo operacion financave të shtetit shqiptar i kursehen çdo ditë 2.4 ditë qëndrimi në spital”, u shpreh Beqaj.

Deri më tani, nga hetimi i Prokurorisë se Posaçme, Ilir Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, ndërsa pak muaj më parë në pranga për këtë çështje janë vënë biznesmeni, Ilir Rrapaj dhe zëvendësi i tij në ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Sakaq, përfaqësuesit ligjor të Beqajt kanë 5 ditë kohë për të apeluar vendimin në Apelin e GJKKO, por nisur nga çka ish-ministri ka deklaruar për mediat gjasat janë që ai të mos e kundërshtuar verdiktin e Shkallës së Parë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi