I vjen fundi “malit me dosje”, ILD merr vendim

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2023, 12:08 | Aktualitet

I vjen fundi “malit me dosje”, ILD merr vendim

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka arritur të përfundojë trajtimin e stokut prej 2104 ankesash e praktikash dokumentare të trashëguara, krahas punës së përditshme që inspektorët kanë me trajtimin e ankesave të depozituara direkt në ILD, procedimeve disiplinore, si dhe inspektimeve tematike e institucionale.

Ky fond i konsiderueshëm përmbante ankesa të patrajtuara, ankesa të trajtuara pjesërisht, apo në faza fillestare të shqyrtimit të tyre, si dhe raste të hetuara pjesërisht, apo të papërfunduara nga ana e organeve të mëparshme, institucione që kanë qenë përgjegjëse për trajtimin e ankesave ndaj magjistratëve, apo që kanë vepruar gjatë periudhës kalimtare 2017-2020, deri në ngritjen e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Nga trajtimi i stokut ka rezultuar se procedurat e paplota të ndjekura nga organet e mëparshme për trajtimin e këtyre ankesave, praktikave dokumentare, për shkak të kompetencave të kufizuara e të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare, janë trajtuar plotësisht nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Përgjatë viteve, numri i dosjeve të trajtuara është rritur ndjeshëm, nga 72 ankesa në vitin 2020 e deri në 1047 ankesa të trajtuara në vitin 2023. Kjo është bërë e mundur në sajë të një metodologjie të posaçme, bazuar në kritere si data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës, respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare.

Nga stoku i trashëguar prej 2104 ankesash janë arkivuar 2080 ankesa, 14 ankesa janë në proces verifikimi dhe 10 ankesa janë në proces hetimi disiplinor.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar 34 vendime për vazhdim hetimi disiplinor, me anë të të cilave janë hetuar shkeljet e pretenduara ndaj veprimtarisë së 58 magjistratëve. (58 gjyqtarë). Nga këto 34 hetime disiplinore, 9 prej tyre kanë përfunduar me kërkesë për procedim disiplinor, që të 9 magjistratë gjyqtarë. Masat disiplinore të propozuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ishin “Shkarkim nga detyra”, për 3 gjyqtarë; “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë jo më të gjatë se një vit” për 5 gjyqtarë dhe për 1 gjyqtar u propozua masa disiplinore “Vërejtje publike”.

Për këto kërkesa të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka pranuar pjesërisht kërkesën për shkarkim nga detyra për 1 gjyqtar, duke vendosur për të një masë të ndryshme disiplinore, ndërsa në 2 rastet e tjera janë mbyllur pa vendim. Për 5 rastet, kur është kërkuar ulje page, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar 2 pjesërisht, ndërsa 3 raste i ka pezulluar për shkak të procesit të rivlerësimit. Për një gjyqtar për të cilin ishte kërkuar masa “Vërejtje publike”, KLGJ ka vendosur pezullim për shkak të procesit të rivlerësimit.

Me trajtimin e këtij fondi të trashëguar nga institucione të tjera, nëpërmjet procedimit disiplinor të magjistratëve për çështje apo ankesa të sjella në organet inspektuese shumë vite më parë, ILD ka plotësuar jo vetëm detyrimin ligjor, por përcjell edhe një mesazh të rëndësishëm për këdo mbi kulturën e pandëshkueshmërisë dhe të mosharresës.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi