Në Samitin Botëror të Qeverisjes që po mbahet në Dubai me fokus në zhvillimet teknologjike, kryeministri Edi Rama, tregoi gjatë një bisedë të drejtuar nga Tony Blair, se në shërbimet publike në Shqipëri tashmë është “zhdukur” nga qarkullimi letra.
“Ne kemi ndryshuar kryekëput mënyrën me të cilën merremi me shërbimet publike, pa letër. Jo shumë vite më parë, për çdo dokument, për çdo certifikatë, për çdo licence, për çdo dokument për të vërtetuar gjëra të tilla si për shembull nuk ke qenë asnjëherë i dënuar, apo nuk të është marrë asnjëherë leja e drejtimit duhet të mbaje radhë të gjata në sportele, në kushte të këqija. E pastaj ndodhin edhe shumë gjëra të këqija deri sa të vinte radha që të merrje dokumentet,” shpjegoi Rama.
Teksa tregoi se skepticizmi nuk mungoi në vend, kreu i qeverisë u shpreh se digjitalizimi i shërbimeve rezultoi produktiv si për të moshuarit ashtu edhe për fermerët.
“Asokohe njerëzit thanë që kjo do tu hiqte shanset të moshuarave apo fermerëve, pra ata nuk do të kishin akses, por ndodhi e kundërta. Kjo u dha akses të gjithëve atyre që fizikisht nuk kishin mundësi të vinin, të mbanin radhë, të merrnin autobusin nga fshati në qytet, e kështu me radhë.”
Ndërsa, sa i përket rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, Rama tha se teknologjia ka rezultuar të jetë “një bekim për vendet që kanë mbetur pas”.
“Për të hyrë në Bashkimin Europian, teknikisht na duhet të transfuzojmë të gjithë të ashtuquajturin korpus të legjislacionit të Bashkimit Europian, sa për t’i dhënë një ide auditorit, janë më shumë se 4 mijë akte ligjore, nënligjore që duhet të transferohen. Tradicionalisht, kjo ka nënkuptuar për vendet përpara nesh një armatë përkthyesish, hartuesish, një armatë certifikuesish dhe minimalisht në rastin e Kroacisë që është shumë e suksesshme u deshën 7 vjet. Pra, Kroacisë iu deshën 7 vjet, 7 vjet vetëm për të bërë këtë transfuzim letrash, është një mal me letra.”
Rama tregoi gjithashtu se i kishte kërkuar ndihmë Mira Muratit, për ta ndihmuar vendin në rrugëtimin që ka drejt anëtarësimit në Union.
“Për fat të mirë një prej figurave më të shquara të OpenAI dhe ChatGPT është një zonjë shqiptare. E telefonova në momentin që ChatGPT sapo u shfaq dhe e pyeta, mund ta ndihmosh Shqipërinë të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian. Ajo mendoi se po bëja shaka, i thashë jo, a mund ta përdorim këtë për të bërë transfuzimin ajo më tha, ah me interes, le ta provojmë. Dhe testet tona po na tregojnë që mund ta bëjmë në formën aktuale të teknologjisë që është zhvilluar për dy vjet, por duke parë se sa po përmirësohet teknologjia muaj pas muaji, jam i bindur që kjo kohë mund të shkurtohet...”
I pyetur se si e sheh të ardhmen në 5 vite, kryesocialisti theksoi se do të donte që Shqipëria të ishte pas 5 vitesh një vend që punon dhe sillet si të jetë europian, pavarësisht nëse do t’i përkasë familjes europiane apo jo. (A2 Televizion)