Gjyqi për Belerin, i riu tenton të djegë flamurin e “Vorio-Epirit” para SPAK, shoqërohet nga policia

Nga Armand Bajrami
13 Shkurt 2024, 14:19 | Aktualitet

Është tensionuar situata në hyrje të Prokurorisë së Posaçme, aty ku akuza është duke dhënë konkluzionet për çështjen e shitblerjes së votave në Himarë, ku i akuzuar është kryetari i zgjedhur më 14 Maj, Fredi Beleri.

Bledar Cakalli, i njohur në rrjetet sociale si piktor i muraleve me simbole kombëtare dhe figura historike, së bashku me Arilda Lleshi dhe një person të tretë që nuk ka pranuar të identifikohet për mediat kanë protestuar para nisjes së seancës.

Aktivistë paralajmëruan djegien e një flamuri të "Vorio-Epirit", por ende pa e ndërmarrë veprimin, Cakalli është shoqëruar nga policia.

Ndërkohë, aktivisti tjetër dëgjohet në pamjet e sigurara nga A2CNN duke hedhur një lumë akuzash dhe sharjesh në drejtim të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, në momentin kur ky i fundit hyn në ambientet e SPAK.

Kjo nuk është hera e parë që Dule shigjetohet me akuza nga qytetarët teksa i bashkohet seancave gjyqësore për Belerin.

Mëngjesin e 24 janarit ai u godit me vezë nga një qytetar që iu drejtua duke i thënë: “Hajde këtu ore, do ikni siç ikin këlyshat e Serbisë”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli