Dita e dytë e homazheve, dhjetëra besimtarë e personalitete nderojnë Kryepeshkopin Anastas

Nga A2 CNN
29 Janar 2025, 16:21 | Aktualitet

Homazhet në nderim të ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos kanë vijuar për të dytën ditë radhazi në Katedralen Ortdhodhokse “Ngjallja e Krishtit”.

Me dhjetëra besimtarë por dhe personalitete nga fusha të ndryshme të jetës morën pjesë për t’i dhënë lamtumirën e fundit para ceremonisë mortore që do të mbahet të enjten.

“Kemi ardhur nga Saranda për t’i dhënë lamtumirën kryepeshkopit”, tha një qytetar për A2 CNN.

“Do e nderojmë se na ka ndihmuar shumë”, u shpreh një tjetër qytetar, shkruan A2 CNN.

I pranishëm për t’i bërë homazhe kreut të Kishës Ortodokse ishte edhe kreu i Komunitetit Bektashi, Baba Mondi. Ai vlerësoi figurën e Janullatosit, për të cilin tha se “ka bashkëpunuar edhe personalisht me të”.

“Fortlumturia është personalitet i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ka punuar me vetëmohim për ta ngritur këtë Kishë nga varri. Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare dhe sidomos me mua personalisht dhe më vjen keq për çdo njeri që largohet nga kjo botë, por ai po largohet me një vepër që i ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe shqiptarëve. Ngushëllime Kishës Ortodokse, Zoti e pastë në parajsat e veta. Qofshi dritë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve, amin!”, u shpreh Baba Mondi.

Ceremonia mortore do të kryhet në orën 11:00 në Katedrale me pjesëmarrjen e një sërë personalitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Rreth 40 minuta do të zgjasë mesha që do të zhvillohet në nderim, ndërsa pritet të mbajë fjalim kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Greqisë Mitsotakis.

Bisedimet e Sinodit të Shenjtë për vendosjen e kryepeshkopit të ri do të nisin pas 40 ditëve nga varrimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos