Zëmça është një fshat i vogël në zonën ë Mokrës, por që në vetvete mbart ngjarje dhe histori interesante. Ky fshat historinë e tij e ka të hershme, pasi aty janë gjetur edhe gjurmë të një kalaje.
Kalaja e Zëmça ndodhet përballë asaj të Slabinjës, në bregun tjetër të Shkumbinit. Është një kala e thjeshtë me sipërfaqe të vogël, muri rrethues i së cilës përbëhet prej gurësh të vegjël që lidheshin me llaç me njëri-tjetrin. Për shkak të rrafshimit pothuajse të plotë të murit nuk mund të ndiqet planimetria e kalasë megjithatë, falë asaj pak qeramike të gjetur në sipërfaqe mund të përcaktohet datimi, i cili i takon periudhës së Antikitetit të vonë.
Ka gjasa që kalaja e Zëmçës është ndërtuar njëkohësisht me atë të Slabinjës në kuadër të fortifikimit të pikave më strategjike mbrojtëse në territorin e Perandorisë Bizantine, e cila po sulmohej prej fiseve barbare në këtë periudhë.
Nga ana tjetër, Zëmça përmendet edhe në librin "Shqipëria 1927" shkruar nga statisticieni Teki Selenica, ku sipas të dhënave kishte 90 banorë. Gjatë periudhës së komunizmit, kishte një popullsi rreth 300 banorë dhe pas viteve '90 pati mjaft lëvizje migratore, ku sot aktualisht jetojnë 4 familje.
Por së fundmi, një tjetër ngjarje lidhet me këtë fshat, ngjarje e cila nga banorët dhe fshatrat përreth cilësohej si gojëdhënë dhe jo shumë e besueshme, bëhet fjalë për një vizitë të Benito Musolinit, ose Duçes në zonën e Mokrës dhe Pogradecit dhe se si ndalesa e tij e fundit ishte në Zëmçë.
Vizita apo qëndrimi i Benito Musolinit në Mokër sigurisht që bëri jehonë të madhe, banorët tregonin vit pas viti për të, shumë e cilësonin gojëdhënë diçka të tillë, edhe pse lufta në atë zonë kishte ndodhur dhe ishte e prekshme, por shumë pak besonin se ishte Benito Musolini, është folur që mund të ishte edhe sozi e tij.
Reshat Isallari na tregon se si ushtarët italianë zgjodhën shtëpinë e babait të tij për të qëndruar, një banesë dykatëshe, me ndërtim karakteristik me gurë. Më tej, ai thotë se në të jetonin tre familje të cilat qenë të detyruara të largoheshin për ca ditë, ndërsa thotë se ushtarët italianë e kanë rregulluar dhomën e Duçes në mënyrë perfekte. (A2 Televizion)