Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Marlind Laçi, komentoi në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN shtyrjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar zhvillimin si një çështje që duhej të kishte marrë më shumë vëmendje publike. Sipas Laçit, shtyrja e datës për vendimin mund të tregojë se gjykata po kërkon për të mbledhur më shumë fakte. Sipas Laçit faktet e mbledhura deri më tani janë të dobëta.
“Duhet të kishte një farë impakti dhe spotlight-i lajmi për shtyrjen e gjyqit të ish-krerëve të UÇK, të cilët po përballen me një gjyq politik në Hagë. Duket sikur gjithë ky proces po futet në ato kalendat greke, dhe unë shpresoj se ata njerëz, ata komandantë, të dalin të pafajshëm. Shtyrja e datës do të thotë se gjykata po kërkon të mbledh më shumë fakte. Unë gjykoj se faktet e mbledhura janë fakte të dobëta për sa i përket akuzave. Por që duket se dita-ditës po futet në një proces të çuditshëm, që zgjatet në 4-5 vite, që është një kohë relativisht e gjatë, për të marrë një vendim që duhet të ishte marrë më herët. Është një kosto që do bjerë mbi shqiptarët, pasi çdo vendim negativ për ish-komandantët e UÇK do ketë impakt negativ në atë luftën për liri ndaj okupatorit”. (A2 Televizion)