Ndryshimet e reja në aplikacionet e komunikimit dhe rrjetet sociale po sjellin më shumë lehtësi për përdoruesit, por njëkohësisht po hapin debat edhe për sigurinë online.
Eksperti i IT-së, Shahin Dokuzi, duke folur në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, komentoi risinë sipas së cilës përdoruesit e WhatsApp do të mund të identifikohen me emër përdoruesi (username), pa pasur nevojë të ndajnë numrin e telefonit. Sipas Dokuzit, aksesi në rrjetet sociale mbetet shumë i lehtë, përfshirë edhe për fëmijët.
“Të gjithë, edhe fëmijët në Shqipëri, mund të kenë akses në rrjetet sociale, ID nuk kërkohet, kështu që nëse i jep telefonin....Nuk është nevoja të logohesh më me llogari, në TikTok jo të paktën. Edhe në WhatsApp s’do ketë më nevojë për numër, do identifikohesh me username”, tha ai.
Eksperti theksoi se këto ndryshime synojnë kryesisht rritjen e numrit të përdoruesve dhe përmirësimin e eksperiencës në platforma.
“Kanë benefitet që shtojnë përdoruesit. Kushdo zhvillues mendon për benefitin e vet, tjetër gjë që ne na cenon nga një anë”, u shpreh Dokuzi.
Ai bëri gjithashtu një krahasim mes platformave të zhvilluara në Europë dhe SHBA me ato që operojnë në vende me rregullim më të kufizuar ligjor.
“Softuerë të bërë në Europë dhe Amerikë janë më të kujdesshëm, i mbyllin shumë shpesh grupet. Mund të mbyllin edhe grupe biznesi nëse ka anomali, jo vetëm grupe që s’lejohen. Ndërsa softuerë në Panama etj, ose si Telegrami, në Rusi, s’kanë ligje të tilla”, tha eksperti i IT-së. (A2 Televizion)