I dha vulën e PD Berishës, KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Agron Zhukri

Nga A2 CNN
19 Prill 2024, 09:52 | Aktualitet

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri, gjyqtari qe njohu Sali Berishën si drejtues të PD-së. Vendimi ndaj tij u dha nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Hetimi administrativ ndaj Zhukrit në shkallën e parë të Vetingut u bë vetëm mbi kriterin e pasurisë.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar, pak ditë më parë, Komisioni konstatoi probleme me pasuritë e tij. Sipas KPK, familja e gjyqtarit kishte pamundësi financiare për krijimin e një pasurie prej 93 mln lekë.

Agron Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punonte prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai u kthye në kryefjalë të mediave, opolitikës dhe opinionit publik pas vendimit në pranverën e 2022, ku mes konflikteve Lulzim Basha-Sali Berisha se kush drejtonte Partinë Demokratike, Zhukri i dha të drejtë ish-kryeministrit. Më pas ky vendim u rrëzua nga Gjykata e Apelit, duke u rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallë të parë.

Në nëntor 2023, KPK shkarkoi nga detyra edhe gjyqtaren Blerina Muça, e cila në betejën gjyqësore për vulën dhe logon e PD-së, pranoi kërkesën e Enkelejd Alibeajt për t'u konsideruar si palë dhe ankimuar vendimin e Zhukrit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu