Europa po përballet gjithnjë e më shumë me periudha të nxehta aq intensive sa trupi i njeriut nuk mund ta përballojë, pasi ndryshimet klimatike vazhdojnë të rrisin temperaturat, tha të hënën (22 prill) shërbimi i monitorimit të klimës Copernicus i BE-së dhe Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).
Në një raport mbi klimën e Europës, Copernicus dhe organizata botërore meteorologjike WMO vunë në dukje kushtet ekstreme të vitit të kaluar, duke përfshirë një valë të nxehtë të korrikut, e cila shkaktoi stres të fortë ose ekstrem në 41% të Europës Jugore.
Nxehtësia ekstreme paraqet rreziqe të veçanta shëndetësore për ata që punojnë në natyrë, të moshuarit dhe njerëzit që vuajnë në sëmundje kardiovaskulare dhe nga diabeti.
Në disa pjesë vende të Italisë, u shënuan 7% më shumë vdekje se normalja në korrikun e një viti më parë.
Stresi i nxehtësisë mat ndikimin që ka mjedisi në trupin e njeriut, duke kombinuar faktorë si temperatura, lagështia dhe reagimi i trupit.
Qytete të Spanjës, Francës, Italisë dhe Greqisë përjetuan deri në dhjetë ditë stres ekstrem të nxehtësisë në vitin 2023, i përcaktuar si një temperaturë që ndihej si të ishte 46 gradë celsius.
Vdekjet nga nxehtësia janë rritur me rreth 30% në Europë në 20 vitet e fundit, thuhet në raport.
Agjencia mjedisore e BE-së u kërkoi qeverive, muajin e kaluar, të përgatisin sistemet e kujdesit shëndetësor për ndryshimet klimatike dhe bëri thirrje për rregulla të BE-së për të mbrojtur punëtorët që punojnë në ambiente të jashtme nën kushtet e nxehtësisë ekstreme.
Viti i kaluar, ishte më i nxehti në botë që nga fillimi i regjistrimeve, ndërsa Europa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë.
Emetimet e gazeve serrë ishin shkaku më i madh i nxehtësisë së jashtëzakonshme të vitit të kaluar, thuhet në raport. Faktorët duke përfshirë modelin e motit El Nino, gjithashtu, luajtën një rol.
Nxehtësia nxiti motin ekstrem, duke përfshirë më pas përmbytje, pasi atmosfera më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi.
Përmbytjet në Slloveni, vitin e kaluar, prekën 1.5 milionë njerëz. Greqia pësoi zjarrin më të madh të regjistruar të BE-së, sa dyfishi i sipërfaqes së Athinës, ndërkohë që akullnajat alpine humbën 10% të vëllimit të tyre gjatë vitit 2022 dhe 2023.
(A2 Televizion)