Imeraj: SPAK t’i drejtohet Austrisë për Mërtirin e Zoton; Këlliçi: Zoto në verë pushoi në Jug

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2023, 22:02 | Aktualitet

Ish-kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj tha në “Debat” në A2CNN se institucionet shqiptare duhet t’i drejtohen homologëve austriakë për të kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e dy biznesmenëve të akuzuar për aferën e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Për drejtësinë janë disa procedura që duhen ndjekur, të cilat janë formale. Të dy personat ndodhen me masë sigurie “arrest me burg”, është bërë shpallja e tyre në kërkim ndërkombëtar. Nëse ka një informacion zyrtar për vendndodhjen e tyre, siç e përmendi z. Këlliçi në Austri për shembull, atëherë organet tona bëjnë një kërkesë vendit përkatës, i cili duhet ta shqyrtojë këtë kërkesë. Nuk është më një çështje e jona, sepse institucionet tona nuk mund të shkojnë në Vjenë dhe të arrestojnë Mërtirin dhe Zotin. Nuk cedon proceduralisht ekzekutimi i masës së sigurisë. Mbetet gjithçka në vullnetin e shtetit respektiv, pasi kërkesat e shtetit shqiptar shqyrtohen sipas legjislaci0onit të vendeve ku janë akomoduar, strehuar ose qoftë edhe kërkuar strehim politik ndonjëri nga të dyshuarit”, tha Imeraj.

Ndërkohë, ish-kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi tha se nga një informacion i pakonfirmuar që kanë pasur, rezultonte se biznesmeni Klodian Zoto pushonte në rivierën shqiptare.

Për Klodian Zoton e kemi denoncuar gjatë verës. Kemi patur informacion, nga burime të pakonfirmuara për vendodhjen e tij dhe të një mjeti që e ka publikuar zoti Berisha, të një makine dhe targën e asaj makine, që Klodian Zoto ndodhej në Jug, në Vlorë. Por asgjë s’ka ndodhur. E kemi nxjerrë siç na ka ardhur informacioni. E kemi bërë publik”, tha Këlliçi.

A2 CNN Livestream

A2 Sport