“Kam kaluar gjendje overdoze, rrezikova jetën”, rrëfimi i 26-vjeçarit që konsumoi drogë për 12 vite

Nga A2 CNN
17 Qershor 2026, 09:17 | Aktualitet

26-vjeçari nga Durrësi Xhimi Loga ka ndarë publikisht në Dita Jonë në A2 CNN historinë e tij të varësisë nga lëndët narkotike, duke treguar se nisi konsumimin e marijuanës në moshën 14-vjeçare dhe për 12 vite me radhë u përball me pasojat e varësisë, deri në rrezikimin e jetës së tij.

I riu tregoi se gjatë viteve të konsumit ka përjetuar paranojë, probleme të shumta psikologjike dhe episode të rënda shëndetësore.

“Kam kaluar të gjitha ato që përmenden për varësinë. Kam rrezikuar edhe jetën time. Ka pasur momente kur kam kaluar gjendje overdoze dhe nuk e kuptoja sa i madh ishte rreziku”, tha ai.

Në Dita Jonë në A2 CNN, ai rrëfeu se kontakti i parë me drogën erdhi nga një person shumë më i madh në moshë, i cili e bindi se marihuana nuk ishte e dëmshme. Kurioziteti i adoleshencës dhe ndikimi i shoqërisë e shtynë drejt konsumit, i cili me kalimin e kohës u kthye në varësi.

Sipas tij, droga i ndryshoi rrënjësisht jetën. Ai hoqi dorë nga sporti dhe shkolla, humbi interesin për aktivitetet e përditshme, u largua emocionalisht nga familja dhe filloi të gënjente e të vidhte para nga prindërit për të siguruar lëndën narkotike.

“Kam humbur shumë vite të jetës sime. Sot ndihem i zhgënjyer që nuk e kuptova më herët dëmin që po i shkaktoja vetes dhe familjes”, u shpreh ai.

Ai theksoi se ka tentuar disa herë të heqë dorë nga droga, por vetëm së fundmi ka arritur të marrë vendimin përfundimtar. Aktualisht ndodhet në javët e para të shkëputjes nga lëndët narkotike dhe thotë se po përjeton një proces të vështirë rikuperimi fizik dhe psikologjik. Një rol të rëndësishëm në vendimin e tij për të ndryshuar jetën ka luajtur partnerja dhe dëshira për të krijuar familje.

“Partnerja ime e tanishme normalisht që për të krijuar një familje njeriu duhet të ose ta krijojë një familje, ose ta çojë jetën e tij dëm. Kjo është shtysa më e madhe që kam marrë”, theksoi ai.

Duke iu drejtuar të rinjve, ai bëri thirrje që të qëndrojnë larg drogës, të merren me sport dhe të zgjedhin me kujdes shoqërinë.

“Mos prisni të arrini në gjendjen ku kam qenë unë. Sa më herët të ndaleni, aq më lehtë do ta keni. Këto vese ta marrin jetën pa e kuptuar”, ishte mesazhi i tij.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos