“Jam i kthjellët dhe po e jetoj plotësisht jetën time”. Kështu u shpreh 26-vjeçari nga Durrësi Xhimi Loga në Dita Jonë në A2 CNN teksa ndau historinë e tij të varësisë nga lëndët narkotike. Ai tha se nisi të konsumonte marijuanë në moshën 14-vjeçare dhe vetëm pas 12 vitesh arriti të shkëputej prej saj.
“Dua t'ju falënderoj për këtë mundësi që t'ju tregojmë të rinjve që është hapi i gabuar që ata mund të mos e kuptojnë momentalisht, por unë personalisht e kam vuajtur shumë. Edhe tani jam në një periudhë rekuperimi, sepse është akoma java e dytë që nuk është shumë e vështirë për trupin dhe trurin”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Ai rrëfeu se kontakti i parë me drogën erdhi përmes një personi shumë më të madh në moshë, i cili e bindi se marihuana nuk kishte pasoja të dëmshme. Kurioziteti i adoleshencës dhe ndikimi i shoqërisë e shtynë të eksperimentonte, por shumë shpejt përdorimi u kthye në varësi.
“Në moshën 14-vjeçare ne jemi të prirur të marrim gjëra të reja, sepse është mosha e tillë edhe kurioziteti për të eksperimentuar, dhe shoqëria në anën tjetër. Ka qenë edhe e imponuar në një farë mënyre nga shoqëria. Mua ai personi që ma ka dhënë për herë të parë ta konsumoj këtë lëndë narkotike si mariuanën ka qenë në një farë moshe diku te të 30-at. Në lagjen ku jetoja në qytetin e Durrësit ka qenë një person që s'mundet ta përmend emrin e tij, por ai ma imponoi duke më thënë se është e mirë, se nuk të bën gjë të keqe, nuk ka gjëra të këqija, por që në fakt gjërat e këqija janë aq të mëdha saqë i kam vuajtur dhe jam duke i vuajtur gjatë gjithë këtyre viteve”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas tij, droga i ndryshoi rrënjësisht jetën, humbi interesin për shkollën, sportin dhe komunikimin me familjen, ndërsa filloi të gënjente dhe madje të vidhte para nga prindërit për të siguruar lëndën narkotike.
“Të humb komplet interesi për shkollën. Të humb komplet interesi për gjërat e mira. Të humb të humb komplet çdo gjë. Në fakt çdo gjë e mirë të humb. Do të doja të kisha zgjedhur një rrugë tjetër. Kam shokë që u bënë futbollistë dhe ndërtuan karrierën e tyre, ndërsa unë humba vite të tëra”, u shpreh ai.
26-vjeçari tregoi se gjatë viteve të konsumit ka përjetuar probleme serioze psikologjike, episode paranoje dhe situata që i kanë vënë në rrezik jetën. Ai pranoi se kishte tentuar edhe më parë ta linte drogën, por nuk kishte qenë i vendosur sa tani.
“Kthehet në një varësi, nga një kuriozitet kthehet në një varësi në shumë pak kohë dhe është shumë e vështirë që ti ta ndalosh, sepse ti në fakt nuk e kupton sepse ti ato gjëra që duhet t'i kuptosh në momentin kur nuk e pi më ato gjëra dhe nuk i fut në principalitetet e tua si një person. Nuk arrin dot të logjikosh siç duhet, logjika humbet. Kjo është ideja. Ke këndvështrimin e gabuar të gjërave. Fillon dhe futesh në atë botën e paranojës”, tha ai
Sot, pas dy javësh pa konsumuar lëndë narkotike, ai thotë se ndihet më i kthjellët dhe po e përjeton jetën ndryshe. Një nga motivet kryesore që e shtyu të shkëputej nga varësia ishte dëshira për të krijuar familje dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Ndërsa mesazhi i tij për të rinjtë ishte: të qëndrojnë larg drogës, të merren me sport dhe të zgjedhin me kujdes shoqërinë.
“Mos prisni të arrini në pikën ku kam arritur unë. Sa më herët të ndaleni, aq më lehtë do ta keni. Droga të merr jetën pa e kuptuar”, tha ai.
(A2 Televizion)