Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan sot provimit të matematikës, i treti dhe i parafundit i Maturës Shtetërore 2026. Provimi nisi në orën 10:00 në 144 qendra testimi dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe monitorimi.
Sipas Ministrisë së Arsimit, testi është hartuar në përputhje me programin mësimor dhe është i shkallëzuar sipas niveleve të nxënësve, duke përfshirë pyetje për vlerësime të ndryshme, nga niveli bazë deri tek ai i avancuar. Kjo, sipas autoriteteve, synon të bëjë diferencimin e meritës së nxënësve për pranimet në arsimin e lartë.
Maturantët pritet të dalin nga ambientet e provimit rreth orës 12:30, ndërsa rezultatet do të kenë peshë të rëndësishme në renditjen e tyre për degët universitare.
Autoritetet arsimore kanë forcuar masat kundër kopjimit, përfshirë monitorimin e administrimit të provimit dhe përdorimin e pajisjeve për identifikimin e rasteve të shkeljeve. Në rast shkeljesh, parashikohen përjashtime nga Matura Shtetërore, siç ka ndodhur edhe në provimet e mëparshme. (A2 Televizion)