Rama në Berlin, fokusi tek investimet dhe integrimi europian

Nga A2 CNN
16 Qershor 2026, 12:11 | Politikë

Rama në Berlin, fokusi tek investimet dhe integrimi europian

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një platformë që mbledh përfaqësues politikë dhe drejtues kompanish nga Europa Lindore dhe Gjermania, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin rajonal.

Gjatë vizitës dyditore më 16–17 qershor 2026, Rama pritet të zhvillojë takime me anëtarë të bordit të komisionit dhe me drejtues ekzekutivë të disa prej kompanive më të rëndësishme në rajon. Qëllimi i këtyre takimeve është nxitja e investimeve të huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit në Shqipëri.

Në orën 18:30, kryeministri shqiptar do të mbajë fjalimin kryesor në sesionin qendror të konferencës me temë “E ardhmja europiane e Shqipërisë: reforma, qëndrueshmëria dhe inovacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”. Diskutimi do të moderohet nga Michael Harms, ndërsa në panel do të prezantohet edhe ministrja e parë e krijuar me inteligjencë artificiale, Diella, e cila do të marrë pjesë në sesionin e pyetje-përgjigjeve.

Në ditën e dytë të vizitës, Rama do të takohet me Ministren Federale të Ekonomisë dhe Energjisë të Gjermanisë, Katherina Reiche. Takimi do të fokusohet në bashkëpunimin ekonomik, investimet në sektorin e energjisë dhe ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos