Ekspozita artistike në Zvicër, Rama: Gjithçka me shpenzimet e mia, nuk pushoj me lekët e shtetit

Nga Indrit Maraku
16 Qershor 2026, 12:20 | Politikë

Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale lidhur me udhëtimin e tij të fundit në Basel të Zvicrës, ku ekspozoi disa nga veprat e tij artistike.

Rama mohon komentet online për shpërdorim të parave publike, teksa jep disa detaje mbi organizimin e eventit dhe shpenzimet përkatëse, raporton A2.

“Në thuajse tre dekada shërbim publik, unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time. Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit. Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjozetë artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona”, shkruan Rama. 

Sot, Kryeministër prej më shumë se 13 vjetësh, Edi Rama ndjen nevojën të citojë veten kur rreth 20 vjet më parë, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës, përballej me të njëjtën akuzë: “Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”! [...] Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë”. 

Dy dekada më vonë thotë se nuk është më i pamësuar me baltën e jetës politike, ndaj i referohet librave të shenjtë, ku thotë se shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos