Anëtari i Asamblesë Kombëtare të Avokatëve të Greqisë, Athanasios Zuppas deklaroi se në rastin Beleri nuk është respektuar prezumimi i pafajësisë që është parim bazë i Konventës Europiane. Në një konferencë të përbashkët për shtyp për çështjen Beleri edhe me përfaqësues të opozitës, Zuppas tha se Greqia do të monitorojë procesin pasi Beleri është përfaqësues i minoritetit grek.
“Meqë prezumimi i pafajësisë është parim bazë i Konventës Europiane, në rastin konkret kemi vënë re që nuk është respektuar. Kemi vënë re që në raste të tjera nuk ka ndodhur. Kemi shkelje të barazisë në të drejtë. Ne si përfaqësues të asamblesë plenare të shoqatës së avokatëve kemi ardhur të monitorojmë procesin edhe për faktin se ai është përfaqësues i minoritetit grek.
Avokati i Belerit, Geni Gjyzari ka akuzuar SPAK-un për standarde të dyfishta në rastin e çështjes Beleri. Avokati foli edhe për seancën e djeshme që sipas u ndërpre “për t’i dhënë kohë SPAK-ut të sistemonte problemet që ne evidentuam”.
“Nuk kishte ndodhur deri më sot të ndërpritej diskutimi përfundimtar pa arsye. Ne mbaruam konkluzionet. Vetëm Beleri do të fliste. Kuptohet pse u ndërpre. Për t’i dhënë edhe pak kohë SPAK të sistemonte problemet që ne evidentuam. Numri i lartë i njerëzve të vëzhguar janë më shumë se urdhri i prokurorit. Ndjekja penale ka nisur pa urdhrin e prokurorit. Në çështje janë disa standarde të dyfishta”.
Sipas tij qëllimi i SPAK ka qenë të mbulojë veprimet e paligjshme të policisë.
“SPAK duhet të hetojë edhe për shkelje të bëra nga punonjës të administratës, apo të policisë. Qëllimi i SPAK ka qenë të mbulojë veprimet e paligjshme të policisë.Kërkesa për leje është interpretuar në mënyrë të ndryshme. Ne kemi sjellë rastin e Mark Frrokut, i cili është lejuar të shkojë të votojë në parlament. Gjykata përmend një vendim të Gjykatës së Lartë, por për një rast kur nuk është lejuar. Ndërsa në një kërkim të bërë nga Berisha përmendet Frroku, por për rastet kur është lejuar për motive të veçanta”.
Ndërsa kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule akuzoi kryeministrin Rama se para zgjedhjeve “përgatiti opinionin publik, me nxitjen e nacionalizmit të sëmurë për të përgatitur atë që do të ndodhte”.
“Kjo është çështje që nisi në 6 maj nga kryeministri Rama. Nisi në fushatën zgjedhore në Himarë, ku u evidentuan 2 elemente të papranueshëm për një fushatë zgjedhore. Së pari, denigrimi i figurës së Belerit me fyerje dhe bullizëm të papranueshëm dhe së dyti, me shpifje. Duke shtrembëruar një intervistë në median greke, Rama përgatiti opinionin publik, me nxitjen e nacionalizmit të sëmurë për të përgatitur atë që do të ndodhte. Në 6 maj, kur Beleri nuk ishte në Himarë, nisi procesi i përgjimit të tij telefonim e ambiental nga 15 oficerë. Pasi nuk gjetën asnjë fakt, bënë një arrestim demonstrativ të tij në qendër të Himarës. Nga 6 maji deri në 12 maj, përgjimet e Belerit dhe bashkëpunëtorëve u shoqëruan në anën tjetër me retorikën e thirrjeve nacionaliste të Ramës”.
Sipas Dules “asnjë nga 31 rastet e "korrupsionit" zgjedhor në SPAK nuk përfundoi në "arrest në burg". Të tjerë kryebashkiakë që ndiqeshin penalisht janë zgjedhur e janë betuar. Këto shkelje përbëjnë një zinxhir të gjatë”. (A2 Televizion)