Kujdes me celularin! Balla paralajmëron policët nga Londra: Do kontrolloheni sipas sistemit anglez

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2023, 17:41 | Aktualitet

Kujdes me celularin! Balla paralajmëron policët nga Londra: Do

Kujdes me telefonat. Ky duket të jetë mesazhi ndër rreshta që ministri i Brendshëm Taulant Balla u ka dërguar këtë të hënë efektivëve që shërbejnë në Policinë e Shtetit.

Mesazhi vjen nga Londra, ku Balla ka takuar drejtuesit e Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA), prej të cilëve thotë se Shqipëria do të marr modelet më të mira për të realizuar vettingun në polici dhe kontrollin e komunikimeve telefonike të efektivëve.

"Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet ligjzbatuese britanike, e natyrshëm disa prej çështjeve që diskutuam për të marrë eksperiencën britanike, në atë që e kam quajtur vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga elementët që bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Ky është një proces që vijon prej shumë kohësh edhe në Policinë Britanike, sikurse dhe procesi i Vetting-ut. Shkëmbimi i eksperiencave është i domosdoshëm. Do të marrim prej tyre modele, sesi ata kanë përqasuar kontrollin e komunikimeve telefonike të oficerëve të Policisë. Këtu në Britaninë e Madhe punonjësit e Policisë nuk mund të përdorin telefona veç atyre që u jepen nga vetë institucioni”, shprehet Balla.

Ministri i Brendshëm bën me dije se po ashtu po bashkëpunohet ngushtë me partnerët britanikë në disa fusha, që përfshijnë luftën kundër narkotikëve e pastrimit të parave nga ana e grupeve kriminale shqiptare.

Kemi diskutuar edhe për një problematikë që diskutohet shpesh herë në Shqipëri, siç janë operacionet e Europol për aplikacionet Enrochat dhe ECC, sepse dhe për ta është e njëjta sfidë, dhe natyrshëm ka dhe investigime për përfshirje të punonjësve të Policisë. Një pjesë tjetër janë operacionet e përbashkëta, në qasjen ndaj grupeve kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike, si dhe hetimin e pastrimin e parave, jo vetëm në formën që ne njohim por edhe përfshirjen e grupeve kriminale për pastrimin e parave përmes kriptomonedhave", tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos