Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Marlind Laçi thekson se koncepti i Izraelit të madh, i cili sipas tij bazohet në mite, ka si synim që ta kthejë vendin e udhëhequr nga Netanjahu në superfuqinë e vetme në Lindjen e Mesme. Sipas ekspertit ky plan ekspansionist synon shkatërrimin e sovranitetetit të vendeve si Egjipti, Siria, Jordania, dhe madje të Turqisë, që është shtet anëtar i NATO-s.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Laçi shprehet se Presidenti amerikan Trump tashmë po udhëhiqet nga interesi kombëtar i Izraelit në rajon.
“Duket se Presidenti Trump fatkeqësisht tashmë udhëhiqet nga interesi kombëtar i Izraelit në Lindjen e Mesme, kjo edhe për shkak të atyre tezave ekspansioniste për ngritjen e Izraelit të madh që e pretendon Netanjahu, e shpreh edhe ministri i Jashtëm, që këta tentojnë që Lindjen e Mesme ta nënshtrojnë dhe të shtrijnë një shtet izraelit nga brigjet e lumit Nil në brigjet e lumit Eufrat. Duhet të themi që vërtet regjimi i Ajatollahëve është kriminal, por ka përballë një regjim tjetër, ku krerët e tij kërkohen nga Gjykata Penale e Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha eksperti në "Off the Record".
“Kemi një tezë të rrezikshme, që buron nga librat e shenjtë sipas Netanjahut, ku tentohet të shkatërrohet sovraniteti i Egjiptit, sovraniteti i Sirisë, sovraniteti i Sirisë, sovraniteti i Libanit, sovraniteti i Turqisë, sovraniteti i Irakut dhe Arabisë Saudite, për të ngritur një koncept mitologjik të Izraelit të madh, prandaj shprehet Netanjahu që ne ke kërkojmë ridimensionimin e hartës së Lindjes së Mesme, që do të thotë që Izraeli të jetë superfuqia e vetme në Lindjen e Mesme”, vijoi Laçi. (A2 Televizion)