Ditën e sotme është nënshkruar marrëveshja e mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se rrjetet kabllore me fibër optike janë autostradat e komunikimit digjital dhe falë zbatimit të këtij projekti do të bëhet e mundur një lidhje ndërkontinentale nënujore, ku Shqipëria do të ketë një pozicion kyç në mundësimin e kësaj lidhjeje strategjike.
Ai tha se ky projekt është një gur i rëndësishëm të asaj që do të jetë Shqipëria në 2030.
“Do të garantojë një akses në këtë rrugë të re të Mesdheut për një sërë vendesh të Europës Qendrore, mendoj që nga njëra anë ky është një projekt i mirëseardhur sepse rrit në mënyrë domethënëse masën e mozaikut të projekteve për ta transformuar Shqipërinë në një vend kampion për inovacionin, por është projekt i rëndësishëm edhe për besimin e sipërmarrjes në tërësi. Projekti nuk ka shifra marramendëse, por në thelbin e vet është një projekt marramendës për nga impakti dhe vlera që do të krijojë. Ky është një gur kilometrik në Shqipërinë e 2030”, tha Rama.
Marrëveshja e Mirëkuptimit parashikon, ndër të tjera, përmbushjen e angazhimeve që Shqipëria ka, edhe në kuadër të bashkëpunimit më partnerë strategjikë si SHBA e Bashkimi Europian, lidhur me respektimin e standardeve më të larta të sigurisë dhe infrastrukturës digjitale e besueshme, si dhe konektivitetit me vendet e treta, duke promovuar që gjatë konceptimit e zbatimit të këtyre projekteve të sigurohet: zgjedhja e ofruesve të besueshëm për kabllot nënujore (subsea cable providers) në veçanti për projektet ndër-kontinentale të TIK që promovojnë furnizues/kompani të besueshme për rrugët digjitale alternative që lidhin Evropën, Amerikën e Veriut dhe Azinë.
“Kjo nisëm do të bëjë të mundur rritjen e numrit të rrjeteve kabllore nënujore, pra një zgjerim i infrastrukturës ekzistuese dhe gjithashtu i përgjigjet edhe nevojës për rritje të kapaciteteve të rrjeteve me rritjen e volumit të trafikut të të dhënave dixhitale që sot kemi në mbarë botën. Objektiva të tjerë të këtij projekti do të jenë edhe shtimi i potencialit për të ardhurat, jo vetëm për shoqëritë private, por sigurisht edhe për shtetin shqiptar”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Zëvendëskryeministrja shtoi më tej se “investimi i cili vlerësohet në vlerën nga 100 deri në 115 milion Euro është i mirëpritur nga Qeveria Shqiptare sigurisht, duke shkuar në të njëjtën linjë me politikat që ne kemi për zhvillimin e teknologjisë dhe të dixhitalizimit në vendin tonë. Por, nga ana tjetër shkon në përputhshmëri të plotë dhe me planet që ne kemi”. (A2 Televizion)