Sondazh: Ku do e kaloni natën e ndërrimit të viteve?
  • Famije 78%
  • Restorant/bare 7%
  • Jashtë vendit 15%

Marrëveshja për emigrantët, AI: Të anulohet, është e paligjshme dhe e pazbatueshme

Nga Rosalba Bejdo
8 Nëntor 2023, 11:38 | Aktualitet

Marrëveshja për dërgimin e emigrantëve që mbërrijnë në brigjet italiane, në Shqipëri nuk shihet me sy të mirë nga organizata dhe agjenci ndërkombëtare.

Amnesty international, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e cilëson atë si të paligjshme dhe të pazbatueshme.

 

Elisa De Pieri, nga Amnesty International, tha se ligji është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar dhe se emigrantët e shpëtuar në det, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë me rikthimin, një praktikë e cila është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilën Italia është dënuar tashmë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Marrëveshja është e paligjshme, e papërshtatshme dhe duhet të anulohet.”

Elisa De Pieri - Amnesty International

Sakaq, agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR deklaroi se nuk ka qenë pjesë, nuk është përfshirë dhe se as nuk është konsultuar lidhur në marrëveshjen italo-shqiptare e cila u njoftua të hënën.

Ndërsa kërkon informacione të mëtejshme nga autoritetet relevante, agjencia, kujton pozicionin e vet, se zhvendosja e emigrantëve në vende të treta mund të konsiderohet e përshtatshme, vetëm nëse përmbushen disa standarde.

“Në veçanti, duhet që këto vende të respektojnë plotësisht të drejtat e parashtruara në Konventën e Refugjatëve dhe detyrimet për të drejtat e njeriut dhe që marrëveshjet e arritura të ndihmojnë në ndarjen e përgjegjësive për refugjatët mes vendeve, e jo në zhvendosjen e tyre.”

UNHCR

Më herët, Bashkimi Europian i kërkoi llogari Italisë mbi detajet e marrëveshjes, ndërsa theksoi se ajo duhej të respektonte të drejtat ndërkombëtare.

Ditari A2 CNN