Ministrja Sala nga Tale: Tarifat vlejnë vetëm për turistët e huaj

Nga A2 CNN
11 Korrik 2026, 11:06 | Aktualitet

Ministrja Sala nga Tale: Tarifat vlejnë vetëm për turistët e

Shërbimi shëndetësor për pushuesit vijon pa ndërprerje në 36 Qendrat Shëndetësore Verore në të gjithë vendin. Për herë të parë këtë sezon turistik po zbatohet kuadri i unifikuar i tarifave për shërbime të caktuara shëndetësore vetëm për turistët e huaj, jo rezidentë në Shqipëri. Të ardhurat e krijuara nga këto tarifa do të përdoren nga vetë qendrat shëndetësore për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe plotësimin e nevojave më imediate.

Gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore Verore në Tale tw Lezhës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi se tarifat nuk prekin në asnjë rast qytetarët shqiptarë, të cilët vijojnë të marrin shërbim shëndetësor falas, siç parashikohet nga sistemi publik.

“Një risi që kemi implementuar këtë vit është pagesa e disa shërbimeve shëndetësore nga turistët e huaj. E theksoj edhe njëherë, vetëm për turistët e huaj, jo për shtetasit shqiptarë, për të cilët shërbimi vazhdon të jetë falas, siç ka qenë gjithmonë. Kemi vendosur disa tarifa të thjeshta, të cilat krijojnë mundësinë që qendrat shëndetësore të sigurojnë të ardhura dytësore. Këto të ardhura do të përdoren nga vetë qendrat për të investuar në përmirësimin e shërbimeve dhe për të plotësuar nevojat më imediate që ato kanë,” u shpreh ministrja Sala.

Që nga nisja e sezonit turistik, më 1 qershor 2026, mbi 17 mijë pushues kanë marrë shërbim në Qendrat Shëndetësore Verore, ndërsa rreth 21% e tyre kanë qenë turistë të huaj, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të këtyre qendrave në garantimin e kujdesit shëndetësor gjatë sezonit veror.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, vijon monitorimin e përditshëm të funksionimit të qendrave, duke garantuar furnizimin me barna, pajisje mjekësore dhe mbarëvajtjen e shërbimit në të gjitha zonat turistike.

Një tjetër risi e këtij sezoni është pajisja e të 36 Qendrave Shëndetësore Verore me sistemin e pagesave elektronike (POS), duke u mundësuar turistëve të huaj të kryejnë pagesat në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe transparente, si pjesë e përmirësimit të aksesit dhe modernizimit të shërbimeve shëndetësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos