Reshjet e dendura të shiut nga njëra anë por dhe të dëborës nga ana tjetër, kanë vështirësuar kalimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore të vendit. Autoritet Rrugor Shqiptar cilëson zonën e veriut por kryesisht dhe e juglindjes si më të vështirat për t’u përshkuar nga automjetet, teksa grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë vijuar për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
Problematikat më të mëdha u vërejtën në qarkun e Dibrës, një pjesë e Kukësit, në Shishtavec reshje dëbore me erë të fortë dhe presim që pasdite situata të përkeqësohet në zonën juglindore. Aktualisht rrugët nacionale janë të hapura pa bllokime konktraktorët po pastrojnë pjesën e mbetur të dëborës dhe kriposjen në rast se temperaturat do zbresin nën minus.
Për qarkullimin në të gjitha akset nacionale ARRSH raporton për prezencë të shtuar të punonjësve por dhe mjeteve në terren.
Në terren 130 borë pastruese dhe një staf prej 850 punëtorësh manovrator dhe shofer pa përfshirë stafet inxhinierike dhe të tjerët që drejtojnë dhe 400 mjete të tjera që ndihmojnë borë pastrueset.
Qafë Thanë, Qafë Plloçë, në Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë- Leskovik pritet të jenë zonat më kritike edhe për 24 orët në vijim.
Elbasan Qafë Thanë dhe Korçë Pogradec dy rrugë që pritet të ketë një përkeqësim të motit. Kemi mbajtur dhe Thethin të hapur. Mjetet të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhir për pjesët e rrugës që duhen. Problem këto ditë kanë qenë mjetet me goma verore duke shkaktuar bllokime dhe vështirësuar punën për borë pastrueset.
Trafiku i shtuar apo dhe bllokimet e pjesshme të rrugëve sipas ARRSH janë shkaktuar kryesisht nga automjetet të cilat lëvizin pa goma dimërore apo edhe zinxhirë duke krijuar trafik por dhe penguar punën e borë pastrueseve. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të sigurojnë automjetet para se të lëvizin në terrene të vështira. (A2 Televizion)