Acari që përfshiu thuajse gjithë vendin pasditen e së shtunës dhe gjatë ditës së diel, shkaktoi problematika kryesisht në zonat malore të juglindjes dhe veriut të vendit. Dhjetëra fshatra të bllokuar, mungesë të furnizimit me energji elektrike dhe pezullim të procesit mësimor në rreth 80 shkolla nga veriu në juglindje, janë disa nga problematikat e evidentuara edhe nga shtabet e emergjencave civile të qarqeve përkatëse.
Kështu në juglindje të vendit numërohen dhjetëra fshatra të bllokuar nga reshjet e dëborës, 30 shkolla që kanë njoftuar pezullimin e procesit mësior, ndërsa shkon në rreth 800 numri i familjeve në zonat malore që kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërsa trashësia e dëborës në këto zona shkon nga 20 deri në 50 cm.
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në veri të vendit. Disa fshatra të thellë malorë janë të bllokuar ndërsa akset kryesore dhe ato nacionale rrugore janë të kalueshme, por një pjesë e tyre kalohen me zinxhirë.
Energjia elektrike mungon në disa njësi administrative, ndërsa procesi mësimor është pezulluar në të paktën 20 shkolla të qarkut të Kukësit. Sakaq reshjet e dëborës dhe era e fortë kanë krijuar problem edhe në rrugët zonat malore të qarkut të Elbasanit.
Në fshatrat malorë të bashkive të Gramshit, Elbasanit Librazhdit dhe Prrenjasit ka vështirësi në rrugët që lidhin këto zona, ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, dhe gjithashtu është pezulluar edhe procesi mësimor. Gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës ka patur problem edhe me qarkullimin e mjeteve në aksin nacional Prrenjas-Qafë-Thanë dhe Tiranë Elbasan në hyrje të tunelit të Krrabës. (A2 Televizion)