Në juglindje të vendit situata paraqitet e rënduar pas reshjeve të fundit të dëborës, për shkak se trashësia ka shkuar nga 20-50 cm në zonat e thella malore, duke izoluar shumë fshatra dhe duke sjellë probleme me energjinë elektrike.
Situata me e rëndë paraqitet në njësitë administrative të Pogradecit ku dhe reshjet kanë qenë me intensitet të lartë, fshatra të njësive administrative Dardhas, Proptisht, Trebinjë, Velçan janë krejtësisht të izoluar ndërkohë që edhe komunikimi në rrugët e fshatrave Çerrave dhe Bucimas është tejet i vështirë
Të izoluara janë edhe fshatrat e njësive administrative Lekas dhe Vithkuq të bashkisë së Korçës si dhe 11 fshatra të zonave të thella malore në Kolonjë. Të izoluar janë e fshatra të Devollit të Sipërm ashtu siç janë edhe disa fshatra të Pustecit, raporton A2 CNN.
Situatë e rënduar paraqitet në gjithë fshatrat e njësisë administrative Gore dhe Moglice në bashkinë e Maliqit. Kjo situatë ka sjellë probleme me furnizimin me energji elektrike për më shumë se 800 familje ndërsa 30 shkolla janë të mbyllura.
Te gjitha akset nacionale janë të kalueshme, por policia rrugore u kërkon drejtuesve të mjeteve që përdorin rrugët nacionale Korçë - Leskovik - Goricë - Kapshticë - Qafë Thanë dhe fshatrat turistikë të jenë të pajisur me goma dimërore. (A2 Televizion)