Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jetë të shtunën në moshën 95-vjeçare.
“I bashkohem shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Janullatos. I përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë”, në fillim të fjalës së tij në Konferencën Jubilare të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në vendin tonë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bëri me dije se Imzot Janullatos ndërroi jetë në spitalin "Evangelismos" në Athinë, ku ishte i shtruar pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.
“Kryepeshkopi ndërroi jetë sot, më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin 'Evangelismos' të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në një spital privat në Tiranë. Ftojmë besimtarët ortodoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.
Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shkruan Kisha Ortodokse Autoqefale.
Janullatos ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. U nderua me 27 medalje e çmime dhe në vitin 2000 u propozua për Çmimin Nobel.
A2 CNN mëson se trupi i Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos, do të prehet në vendin tonë, pasi ky ishte edhe amaneti i tij.
Prej vitit 1992 ai ka jetuar në Shqipëri, ku edhe ka drejtuar Kishën Ortodokse dhe gjithmonë e ka shprehur dëshirën që trupi i tij të prehet në vendin tonë.
Vendi se ku do të vendoset trupi i Kryepeshkopit Anastas nuk është përcaktuar ende, por një prej mundësive që po diskutohet është Manastiri i Shën Vlashit në Durrës. (A2 Televizion)