Dorjan Teliti, këshilltar i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u bëri thirrje shqiptarëve që, nëse nuk e kanë të domosdoshme, të mos blejnë naftë nëse ka rritje të çmimit.
“Unë një thirrje u bëj qytetarëve: nëse shikoni pika karburanti që rrisin çmimin në mënyrë abuzive, në rast se nuk ju duhet domosdoshmërisht ajo nafta për transport, mos ia blini! Vetëm kështu nuk e rrisin çmimin ata. Ata që e kanë makinën për tangërllik, siç kemi parë, mos ta blejnë. Atyre që u duhet me patjetër, janë të detyruar ta blejnë. Këtu duhet të hyjë shteti, të kompensojë të paktën pjesërisht koston shtesë”, tha Teliti në Off The Record me Andrea Dangllin.
“Sipas ligjit, a duhet të ketë 3 muaj rezerva? Po. Kush është institucioni që kontrollon krijimin e 3 muajve rezervë? Këto struktura shtetërore përgjegjëse për kontrollin të dalin nga zyrat dhe të shkojnë në pikat e karburanteve dhe t’u kërkojë regjistrat e rezervave. Të bëhet transparencë dhe të kuptohet se nga vjen abuzimi”, shtoi Teliti. (A2 Televizion)