Balta ka pushtuar rrugën në hyrje të fshatit Selishtë në njësinë Administrative të Cakranit në Fier. Futja e automjeteve në këtë fshat është një sfidë më vete.
Kjo situatë është e tillë prej shumë vitesh e madje edhe dekadash. Investimet në këtë fshat janë një procedurë e harruar, edhe pse premtohet dhe kujtohet sa herë që ka zgjedhje.
I lënë në të tilla kushte, fshati pak nga pak nisi të shpopullohej. Sot në të mund të gjesh maksimumi 20 shtëpi që banohen nga mosha të treta. Dikur Selishta ka pasur të paktën 200 banesa, shkolla e kopshte për fëmijët.
Fshati Selishtë në Cakran është bërë i njohur në media edhe si fshati i lindjes së këngëtares së njohur Eleni Foureira, e cila përfaqësoi Qipron në festivalin evropian të këngës. (A2 Televizion)