Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka shprehu shqetësimin për rritjen e krimit brenda familjes., në ceremoninë e 111 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, Balla theksoi se këto do të jenë prioritet i punë së policisë, në parandalimin e ngjarjeve të tilla, duke garantuar që autorët të vihen para drejtësisë.
“Ekziston një shqetësim që kërkon vëmendjen dhe veprimin tonë të përbashkët. Ndër to është numri shqetësues i krimeve brenda familjes, për të cilat sado të pakta qofshin janë prioritet i punës sonë. Këto ngjarje godasin në zemrën e shoqërisë, duke na detyruar të intensifikojmë përpjekjet, jo vetëm në zbatimin e ligjit, por edhe në nxitjen e ndërgjegjësimit, mbështetjes dhe mekanizmave të ndërhyrjes për të mbrojtur shtetasit e rrezikuar, përgjithësisht nënat dhe motrat tona. Përballja me këto sfida kërkon një qasje edhe më të shumë-anshme. Duhet të vazhdojmë të përforcojmë strategjitë tona të zbatimit të ligjit, duke garantuar që autorët me bazë gjinore, të dhunës seksuale, të krimeve ndaj të miturve të vendosen para drejtësisë menjëherë e me vendosmëri. Po aq e rëndësishme është nevoja për të krijojmë mekanizma për t’i parandalimin e ngjarjeve të tilla, përpara se ato të ndodhin”.
Balla e vuri theksin gjithashtu te thellimi i reformave për rikthimin e besimit të qytetarëve të policia e shtetit.
“Na duhet të thellojmë reformat për të forcuar aleancën me qytetarët e natyrshëm të përmirësojmë komunikimin me qytetarët duke përdorur sa më shumë teknologji. Jetojmë në kohën e inteligjencës artificiale, e shumë shpejt do të kemi edhe në PSH modele të reja të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në përmirësimin e punës hetimore apo dimensione të tjera të punës së përditshme të PSH, duke ju sjellë në vëmendje një prej indikatorëve të rritjes së besimit qytetar, është rritja me disa fish e thirrjeve tek numri unik 112, por kjo rezulton edhe nga sondazhet tona apo të organizatave të pavarura. Dua ta ritheksoj se siguria është parakushti, mbi të cilin garantohet zhvillimi e progresi i çdo shoqërie. Dita ditës e kemi përmbushur këtë kusht. Le ta shndërrojmë 2024 në një vit të arritjes së objektivit të përbashkët, të shndërrimit të PSH në institucionin numër një, të besimit të qytetarëve. Jam i sigurt se rezultatet e deritanishme janë një premisë e mirë për t’ja arritur këtij objektivi të përbashkët”.
Duke vlerësuar vetëpastrimin në radhët e Policisë, Balla foli për një numër të lartë aplikimesh në procesin e rekrutimit të të rinjve në radhët e policisë, si edhe për një ligj të ri që do të kalojë shumë shpejt në Kuvend për policinë e shtetit.
“Jam krenar të dëshmoj progresin e vazhdueshëm të vetëpastrimit brenda radhëve të Policisë së Shtetit një dëshmi e përkushtimit tonë të pandërprerë për të mbajtur standarde të larta profesionalizmit, ndershmërisë dhe integritetit. Përpjekja e palodhur për përgjegjshmëri, transparencë dhe sjellje etike është thelbësore në nxitjen e besimit të publikut për Policinë. Jam i gëzuar nga numri i lartë i aplikimeve e cila tregon se besimi i publikut, po pasohet nga besimi i të rinjve e të rejave se ka një profesion shumë të vlerësuar në Shqipëri, sikurse është uniforma e PSH. Ka ardhur koha të bëjmë gjithçka për ta energjizuar, dinamizuar e për të krijuar një sistem të ri karriere në PSH, që bazohet në vlerësimin e punës, ndershmërisë dhe rezultateve. Kjo do të mundësohet edhe falë ligjit të ri për PSH, që shumë shpejt do ta kalojmë në qeveri e kuvend”. (A2 Televizion)