SPAK nis hetimin pasuror për Veliajn dhe familjarët e tij, gazetari jep detaje

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 10:48 | Aktualitet

Pak ditë pas marrjes në pyetje në SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim pasuror e financiar ndaj Erjon Veliajt. Sipas gazetarit të A2 CNN, Julian Kasapi, prokurori i posaçëm, Olsi Dade, ka kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë për çdo transaksion që ka kryer jo vetëm Veliaj, por edhe bashkëshortja, vëllai dhe nëna e tij. 

“Prokuroria e Posaçme është në fazat e para të hetimit pasuror siç ndodhi dhe me zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Nëpërmjet prokurorit, Olsi Dades, i është kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë për çdo transaksion që jo vetëm Veliaj, por edhe bashkëshortja, vëllai dhe nëna e tij të kenë kryer. Apo edhe nëse kryetari i bashkisë të ketë marrë një kredi e t’i vihet në dispozicion. E njëjta shkresë i ka shkuar edhe Hipotekave dhe Tatimeve. SPAK ka nisur hetim pasuror për të parë të gjitha lëvizjet financiare e pasurore të kryebashkiakut të Tiranës”, raportoi Kasapi.

Kujtojmë se më 30 prill, Veliaj u mor 7 orë në pyetje nga prokurorët e SPAK. Në dalje, ai tha se çështja e inceneratorit të Tiranës u ezaurua, pasi edhe vetë ai kishte kërkuar që të paraqitej dhe të jepte versionin e tij.

Kreu i SPAK, Altin Dumani tha pas një fletëthirrjeje për t’u paraqitur në SPAK u mor në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës, një investim mbi 100 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë, por që asnjëherë nuk u ndërtua. Për këtë çështje, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Një tjetër çështje që përfshin Bashkinë e Tiranës është dosja “5 D”, ku janë arrestuar për korrupsion 5 drejtorë të kësaj bashkie, çka ka ndezur edhe protestat e opozitës para bashkisë së Tiranës.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos