Rama pas mbylljes së tri kapitujve të negociatave: Gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Nga A2 CNN
14 Korrik 2026, 20:04 | Politikë

Rama pas mbylljes së tri kapitujve të negociatave: Gur kilometrik

Kryeministri Edi Rama e konsideroi mbylljen e tri kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian si një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë, në përfundim të Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në konferencën për mediat përkrah komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, Rama tha se ky zhvillim përbën një tjetër “gur kilometrik” në rrugëtimin e pakthyeshëm të vendit drejt anëtarësimit në BE.

Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përgjegjësitë e anëtarësimit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, mbyllja e kapitujve përcjell edhe një mesazh të fortë për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se rezultatet e Shqipërisë po marrin përgjigjen përkatëse nga Bashkimi Europian.

Shqipëria jep rezultate, BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon në përputhje me këtë. Ky është thelbi i procesit, një proces i besueshëm dhe i bazuar në meritë nga të dyja anët”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se reformat po afrojnë standardet europiane me qytetarët shqiptarë dhe provë është fakti se qytetarët i kanë rritur pritshmëritë dhe kërkesat ndaj qeverisë. 

Ne po ndërtojmë Shqipërinë që duam të shohim si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Provë e kësaj është se qytetarët kërkojnë gjithnjë e më shumë dhe janë gjithnjë e më pak tolerantë ndaj asaj që nuk funksionon”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos