“Këtë të mërkurë përfundon ajo që demokratët e kanë quajtur ripërtëritja e partisë. Këshilli Kombëtar pas konstituimit do të zgjedhë ekipin me të cilin Sali berisha do të qeverisë selinë blu.
Kryetarja e re e Këshillit Kombëtar, Julia Emiri, ka thirrur mbledhjen e këtij forumi për kupolën duke nisur nga nënkryetarët, sekretarin e pergjithshëm dhe gjithë sekretariatin.
Ekipi që do të ndihmojë Kryetarin në drejtimin e Partisë:
1. Sekretari i Përgjithshëm
2. Nënkryetarët e PD-së
3. Sekretariati i PD-së;
4. Komisioni i Apelimit të PD-së.
Burime bëjnë me dije për A2CNN se Flamur Noka do të kërkojë edhe një mandat të dytë si Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa për nënkryetarët gara do jetë për 3 vende pasi Gazment Bardhi zgjidh eksoficio.
Deri më tani, Agron Gjekmarkaj dhe Oerd Bylykbashi kanë njoftuar tërheqjen, ndërsa Luçiano Boçi pritet të garojë për një mandat të dytë. Ky i fundit pritet të ketë një garë me 5 kandidatë të tjerë, ku sipas burimeve në listë sfidojnë Belind Këlliçi, Bardh Spahia dhe Klevis Balliu.
Sali Berisha në detyrim të statutit duket se Gjekmarkajn dhe Bylykbashin do t’i zëvendësojë me gra ku do të ketë dhe një garë mes disa emrave.
Teksa ethet e garës kanë përfshirë një pjesë të demokratëve, të tjerë kanë njoftuar tërheqjen. Ivi Kaso, i cili ka mbajtur për 12 vite postin e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore ka njoftuar se nuk do rikandidojë më.
Këshilli Kombëtar do të zgjedhë edhe Komisionin e Apelimit, pasi mandati i Adriana Kalasë ka përfunduar, por edhe ajo vetë ka njoftuar se nuk do të përfshihet në garë.
Me zgjedhjen e drejtuesve të rinj perfundon ripërtëritja e një pjese të partisë, pasi Sali Berisha ka premtuar edhe lëvizje në radhët e drejtuesve të qarqeve. Nga ana tjetër ndryshime priten dhe në drejtimin e forumit rinor dhe atë të gruas, ku Besart Xhaferri dhe Albana Vokshi pritet të mos garojnë për mandat tjetër. (A2 Televizion)