Nuk kanë munguar debatet në komisionin parlamentar të ligjeve, ku u diskutuan ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore.
Demokratët kërkuan saktësim në një prej neneve, madje, sipas tyre, do të shërbente edhe në afatgjatë:
“Bashkë me kolegun Gjiknuri, po kërkojmë sqarim”, tha Strazimiri.
Manja u përgjigj: “Nuk keni për të sqaruar kurrgjë. Tani e gjetët lepurin në ferrë ju të tre sot. Në rregull. Tani, kush është dakord në tërësi me projektligjin?”.
Me argumentin se pika ishte tejkaluar, kryetari i komisionit, Ulsi Manja kundërshtoi edhe socialistin Damian Gjiknuri për të vijuar diskutimin mbi temën. Ndërsa demokratët nisën largimin nga salla duke mos marrë pjesë në trajtimin e drafteve të tjera.
Gjiknuri: Do ma japësh fjalën apo të iki fare?
Manja: Po ik, shko. Merru me Oerdin.
Për shkak se nuk iu lejua fjala, gjithashtu Gjiknuri vendosi të largohet nga komisioni, ndërsa nuk munguan replikat me Ulsi Manjën. Pavarësisht situatës, Komisioni i Ligjeve vijoi diskutimet me pjesëmarrjen e deputetëve të tjerë të mazhorancës socialiste. (A2 Televizion)