U pezullua nga detyra, Apeli rrëzon kërkesën e prefektit të Kukësit, Granit Gjana

Nga A2 CNN
5 Janar 2024, 12:07 | Aktualitet
U pezullua nga detyra, Apeli rrëzon kërkesën e prefektit të

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lërë në fuqi masën e sigurimit "pezullim nga detyra" për Granit Gjanën, prefektin e qarkut Kukës. 

Gjana u pezullua nga detyra pas nisjes së hetimeve nga SPAK për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kur mbante detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Kukësit.

Dyshohet se në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, Gjana ka penguar një subjekt të kualifikohet në dy procedurat e një tenderi për blerje karburanti.

"Me mosveprimet e tij, e konkretisht mospajisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm", njoftoi SPAK një muaj më parë. 

Për pasojë, Struktura e Posaçme kërkoi që Gjana të ndalohej plotësisht nga ushtrimi i detyrës pranë Prefekturës Kukës. Masa ndaj tij u ekzekutua më 6 dhjetor nga hetuesit e BKH-së.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos