Pas një pesimizmi në fillim vit, sektorët që kontribuojnë më së shumti në ekonomi kanë ringjallur besimin e tyre në muajin mars.
Industria, tregtia apo edhe vet shërbimet janë treguar më optimiste për një përmirësim të situatës ekonomike. Të ndodhur edhe para fillimit të sezonit veror sektori I shërbimeve ka rritur pritshmëritë me 6.4%. Është kryesisht ecuria aktuale e aktivitetit të tyre, rritja e punësimit por dhe kërkesat më të larta, që po ndikojnë pozitivisht tek supermarketet, baret e restorantet.
Kërkesat e shtuara për porositë nga eksportet në të ardhmen por dhe rritja e prodhimit kanë rritur ringjallur besimin e sektorit të industrisë me 3.6%. Ndërsa pritshmëritë e bizneseve për një ecuri më të mirë të sektorit ka përmirësuar besimin tek tregtia me 2.7%.
“Industria një perceptim se po shikohet të ketë një ulje të çmimeve të lëndëve të para dhe njëkohësisht realizim të produktit për kërkesat që ka tregu”, tha Teuta Nunaj, eksperte Ekonomie.
Përballë një situate optimiste edhe konsumatorët ndihen më mire. Pas një periudhe 4 mujore në rënie besimi i qytetarëve u rrit lehtë me 1.4%.
Është përmirësimi i situatës financiare, pritshmëritë për ekonominë e vendit por dhe mundësitë për blerje në shuma të mëdha që e rritën më tej këtë besim.
“E ndajmë konsumatorin në dy grupe, vendasit dhe të huajtë. Duke patur një numër të lartë të hyrjeve, kemi një rritje të konsumit. Kështu ndodhi dhe në 2023”, tha ajo.
I vetmi sektor që ka ulur besimin është ndërtimi. Vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual kanë ulur pritshmëritë në sektorin e ndërtimit me 0.9%, por përsëri besimi qëndron sipër mesatares historike.
Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit në 107 pikë përqindje në muajin mars, por përsëri qëndron më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (A2 Televizion)