Në bujqësinë virtuale, atë të rrjeteve sociale si në këtë postim çdo gjë duket se ka shkuar mirë gjatë vitit të shkuar. Por në atë reale, as falënderimi i “njerëzve punëtorë”, shoqëruar me 7.7 për qind rritje të eksporteve, nuk e bëjnë dot sektorin me të cilin punon e jeton gjysma e popullsisë të ngjajë e bukur. Nuk e lejojnë vetë të dhënat zyrtare. Nëse eksportet e produkteve bujqësore gjatë 2022-shit kapën vlerën e 55.1 miliardë lekë dhe gjatë vitit të shkuar 55.7 miliardë lekë, zgjerimi është më pak se 1.1 për qind dhe jo 7.7 për qind siç Ministria e Bujqësisë thotë.
“Nga kalkulimet e mia, nga vlerësimet që unë kam bërë del që ne kemi humbur gjatë 2023-shit pjesë të tregut në lidhje me produktet e serrave që janë kryesisht, domatja, kastraveci dhe speci. Kjo në një kohë që gjatë 2023-shit, Bashkimi Europian shfaqi një kërkesë në rritje për këto produkte”, thekson eksperti Ilir Pilku.
Me një buxhet të cunguar, fondet e pezulluara të IPARD e ndryshimet klimatike që po kanosin rreziqe të reja, bujqësia nuk premton shumë edhe për këtë vit. Kostot e larta të prodhimit bashkë me braktisjen e fshatit gjithashtu paralajmërojnë për një “vendnumëro” në rastin më të mirë dhe një rënie të eksporteve në skenarin më pak optimist.
“2024 është një sfidë, një sfidë e vërtetë. Do të shpresoja shumë që mos shkonim në regres. E shikoj si sfidë veçanërisht për investimet e fermerëve”, shprehet Pilku.
Që nga fillimi i dekadës së kaluar, ritmet e rritjes së bujqësisë janë frenuar në mënyrë të vazhdueshme, por dy vitet e fundit, sektori më i madh i ekonomisë ka hyrë në trendin e rënies. Të dhënat nga Instituti i Statistikave treguan se, në tremujorin e tretë të këtij viti të shkuar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.4 për qind.
“Kjo do të thotë, si do t’i përgjigjemi ne. Me buxhetin aktual 30 milionë euro mund të bëhet pak. Shpresoj në daljen e akteve normative për ta çuar fondin në dispozicion në 60 apo 70 milionë euro”, thotw eksperti.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë vitit të shkuar peshën kryesore në drejtim të eksporteve e zunë domatet, trangulli, speci, mandarinat, mollët dhe gështenjat bashkë me bimët dekorative. (A2 Televizion)