Dalja në pension, për gratë rritet mosha, për burrat vjetërsia

Nga Marinela Lina
4 Janar 2024, 15:13 | Ekonomi

“61 vjeç e gjysmë akoma nuk kam dalë në pension.”

Me hyrjen e janarit, Fatbardha një e moshuar në kryeqytet priste të dilte ne pension. Por sipas ligjit,  ajo duhet të presë edhe 2 muaj të tjera për ta përfituar.

“Do më ndihmonte dalja në pension. Do punoj se jam me qira. Dua që tani të dalë në pension e mos të vete më në punë por ma bën halli të vete.”

Mosha e daljes në pension për gratë është rritur nga ky muaj. Nëse në vitin 2023 një grua duhet të kishte 38 vite vjetërsi pune, për të dalë në pension 61 vjeçe e 6 muaj,  këtë vit ajo del në pension edhe 2 muaj më vonë.

Këto janë efektet e reformës që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, e cila parashikon një rritje graduale të moshës dhe vjetërsisë në punë.

Për qytetarët e kësaj grupmoshë, një rritje e tillë nuk mirëpritet.

“Negative është se unë dua ta ha pensionin jo të më hajë pensioni mua. Si i thonë asaj hidh ujë e hidh miell nuk bëhet buka fare. Ka njëfarë moshe që del.  Unë pres të dalë në pension mi shton prapë t’i mua.”

“Nëse mezi po ngrihemi nga krevati jo më të punojmë.”

Ndërkohë, për burrat mosha për të dalë jashtë sistemit të punës është 65 vjeç përllogaritje e cila edhe për disa vite nuk do të ndryshojë.

Por, për ta ndryshon portofoli i sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë që vjetërsia e tyre e punës që deri vitin e kaluar ishte 38 vjet, tashmë do t’u duhen 38 vjet e 4 muaj për të përfituar pensionin.

Prej 8 vitesh, skema e pensioneve ndryshon, si rrjedhojë e reformës së vitit 2015, dhe pritet të ndalet në vitin 2056, kur mosha e daljes në pension të barazohet në 67 vjeç për gratë dhe burrat.

E ndërsa vitet e punës shtohen pensionet mbeten ende të ulëta. Të dhënat nga sigurimet shoqërore tregojnë se pensioni mesatar në vendin tonë është 14 mijë lekë, ndërkohë që përfitues të pagesave mujore janë rreth 700 mijë individë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos