Rriten çmimet e cigareve, shkak akciza e duhanit, paketat shtrenjtohen mesatarisht me 10 lekë

Nga Marjo Brakaj
4 Janar 2024, 13:39 | Ekonomi

Pas shtrenjtimit “jashtë radhe” në dhjetor, çmimet e paketave të cigareve në vend do të rriten sërish. Kjo për shkak të akcizës së duhanit, një lloj takse që rritet çdo vit. Nga 7 mijë lekë për çdo 1 mijë fije cigare që ishte, çmimi rritet në 7 mijë e 250 lekë. 

“Risi është që për herë të parë, këtë vit, hyjnë në akcizë edhe produktet alternative të duhanit. Cigaret elektronike dhe ato me djegie,” shprehet Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të cilësisë së duhanit.

Qeveria synon që nëpërmjet rritjes së çmimit të cigareve të ulë konsumin, duke mbrojtur shëndetin. Po a do të bëjnë çmimet më të shtrenjta që shqiptarët të tymosin më pak?

“Nuk ka asnjë ndikim. Të dhënat në vite kanë treguar se me gjithë shtrenjtimin e duhanit, konsumi nuk është ulur. Përkundrazi.”

Nga rritja e akcizës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë pret që në buxhetin për vitin e ardhshëm të grumbullohen 750 milionë lekë më tepër. Ndërkohë, për ekspertët e tregut, qeveria duhet të rrisë kontrollin ndaj tregimit informal të duhanit.

“Dhe kjo është detyruese sepse do të rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit me 80 deri në 100 milionë euro çdo vit”.

Deri në fundin e tetorit të vitit të shkuar, në vend hynë 2 mijë e 665 ton duhan, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos