Biznesi gjatë 2023. Luftë në disa fronte, betejë e re me euron

Nga Marjo Brakaj
30 Dhjetor 2023, 14:44 | Ekonomi

Me gjithë luftën ruse në Ukrainë që çrregulloi tregjet e solli mjaft probleme për të gjithë, kompanitë shqiptare ishin optimiste se viti 2023 do të ishte më i mbarë. Sipërmarrësit ishin madje shpresëplotë se përgjatë 12 muajve do të kryenin investime për të zgjeruar kapacitetet si në infrastrukturë, ashtu edhe në burime njerëzore. 

Florian Zekja, nga Shoqata Pro-Export Albania, u shpreh për A2 CNN: “Ne e mbyllëm vitin 2022 me atë panoramë që ju thoni dhe viti 2023 do të duhej të ishte vazhdimësia”.

Por, çrregullimi i kursit të këmbimit që kishte nisur vjeshtën e 2022 duke prodhuar një “Superlek” nga njëra anë dhe një euro që vijon të rrokulliset nga tjetra, prishi veçanërisht planet e atyre që prodhojnë mallra për t’i shitur ato jashtë.

Filip Gjoka, kyetar i Shoqatës të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, thekson: “Ka qenë një vit mjaft i vështirë i cili na solli papritur një kurs këmbimi të deformuar, i cili na shkaktoi humbje të mëdha financiare”.

Ndërsa Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, deklaron: “Të përkthyera në shifra më të kuptueshme për publikun, do të thotë paaftësi për të rritur pagat, paaftësi për të krijuar vende të reja pune dhe paaftësi për t’i bërë produktet shqiptare më konkurruese kur shkojnë jashtë”.

Ekziston një marrëdhënie e ngushtë mes kursit të këmbimit me tregtinë e jashtme në përgjithësi dhe eksportet në veçanti. 

Eksporti shënon sektorin bazë, i cili tregton jashtë kufijve të tij, prodhon flukse të parasë në ekonominë e vendit dhe siguron nxitje për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik”. Ky përkufizim i ekonomistit amerikan, Robert Solow, fitues i Çmimit Nobel në “Shkenca Ekonomike” në vitin 1987 bashkë me argumentet e studiuesve Helpman dhe Krugman se “eksportet ndihmojnë shtetet e varfra dhe me treg të vogël, të përfitojnë nga shtetet me ekonominë e shkallës”, bëhen veçanërisht të rëndësishëm kur flitet për tregtinë e jashtme të Shqipërisë gjatë këtij viti.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se kriza e eksporteve vijoi, madje duke u thelluar edhe gjatë nëntorit. Vera e mallrave të shitur muajin e shkuar nuk i kaloi 33 miliardë lekë, 8,3 miliardë më pak se një vit më parë.

Forcimi i lekut tkurri me 5,7% eksportet e industrisë tekstile, me 2,4% eksportet e pjesëve të këmbimit dhe 1,1% ushqimet. Të vetmet produkte, eksportet e të cilave u zgjeruan në raport me nëntorin e 2022-shit rezultojnë ato kimike e plastike.

Marrë në harkun e 11 muajve, eksportet e mallrave përllogariten në 403 miliardë lekë apo 9,8% më pak se një vit më parë. Ndërkohë, importet deri në nëntor kapin shifrën e 800 miliardë lekëve, 6,5% më pak se gjatë vitit 2022.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se tkurrja e eksporteve po përfshin thuajse të gjitha kategoritë e mallrave. Të dhënat e INSTAT treguan se në harkun e muajve janar-nëntor pati më pak lëndë minerare, tekstile, prodhime druri e pajisje këmbimi apo ushqime të shitura në tregjet e huaja.

2023-shi ishte një vit jo fort i mbarë edhe për “Call Center”. Oaza më e madhe e punësimeve për të rinjtë shqiptarë në dekadën e fundit po tkurret. Nga gati 25 mijë të punësuar në këtë sektor në vitin 2015, numri i operatorëve telefonikë ka rënë nën 11 mijë këtë vit. Tonin Preçi, kryetari i Sindikatës Kombëtare të Qendrave të Kontaktit, deklaron: “Ka gjithmonë e më pak të rinj që duan të punojnë në këtë sektor. Mos harrojmë se pjesa më e madhe e tregut është e përqendruar në Itali. Italishtfolësit sa po vijnë e po rrallohen. Kjo për shkak të brezave të rinj 18-20 vjeçar që nuk njohin këtë gjuhë”.

Ndryshimi i tipologjisë së aktivitetit, nga shitje apo shërbim klienti drejt bursave dhe skemave të tjera mashtruese, përpjeke të cilat janë zbuluar nga SPAK janë një tjetër arsye e rrudhjes së këtij sektori. Numri i kompanive që operojnë si qendra të thirrjeve telefonike nga rënë në 508 nga 848 në 2015-n: “Ka ndikuar në prishjen e imazhit të sektorit. Por, dua t’u them të rinjve që të mos bëhen pjesë e këtyre skemave mashtruese pasi do të përzihen në aktivitete kriminale”.

Por, 2023-shi nuk ishte një vit i keq për të gjithë. “Bumi” i turistëve si kurrë më parë në vend i dha një tjetër hov konsumit, duke rritur veçanërisht xhirot e bareve dhe restoranteve apo bujtinave. Në një kohë që konsumi vendas është tkurrur si pasojë e emigracionit dhe çmimeve të larta, të huajt gjallëruan shit-blerjet. Kjo tregohet edhe nga shifrat e shitjeve me pakicë, të cilat pësuan një gjallërim në tremujorin e tretë të këtij viti. Instituti i Statistikave raportoi se në 3-mujorin e dytë të vitit dhe të tretin ky tregues qëndroi i lartë në 5,6% kundrejt një viti më pare.

Pavarësisht normave të larta të interesit apo shtrenjtimit të lëndëve të para, ndërtimi pati një vit të mirë. Zgjerimi i sektorit u udhëhoq kryesisht nga blerjet e apartamenteve nga të huajt, por edhe qiradhënia.

Ndërkohë, ashtu si në të paktën pesë vitet e fundit, edhe gjatë 2023-shit vijoi të ndihej madje edhe më e fortë kriza për punonjës. Bashkë me investimet e huaja direkte, turizmit dhe remitancat, rigjallërimi i bizneseve në vend vlerësohet si jetik për ekonominë shqiptare nga ekonomistët. Veçanërisht eksportimi dhe importimi i mallrave nuk është vetëm thelbi i ndonjë biznesi të madh dhe të suksesshëm, por gjithashtu ndihmon ekonomitë kombëtare të rriten dhe të zgjerohen. Ndajnë këto kushte sipërmarrjet në këtë sektor dhe ekonomistët bëhen bashkë në një thirrje: “Të shpëtojmë eksportet!”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos