Mijëra qytetarë protestuan për të pestën ditë me radhë përpara Kryeministrisë. Marshimi edhe këtë të enjte nisi nga sheshi Skënderbej për t’u ndalur përballë zyrës së Edi Ramës.
Për katër orë me radhë, mijëra qytetarë qëndruan në shesh duke bërë thirrje për dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Protestuesit shpalosën edhe 5 kërkesat që kanë për qeverinë, ku nuk pranojnë dialog me Ramën por largimin e tij. Ata po ashtu kërkojnë edhe anulimin e investimit në Zvërnec si dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra së fundi në ligjin për zonat e mbrojtura.
Por protestë nuk kishte vetëm në Tiranë. Qindra qytetarë u mblodhën në sheshet kryesore të qyteteve edhe në Vlorë, Fier dhe Durrës.
Nga organizatorët është njoftuar se tubimi do të vijojë edhe gjatë ditëve të tjera, ku kanë bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në sheshin përpara Kryeministrisë. (A2 Televizion)