Gripen, arma e re ajrore e Ukrainës. A është gati avioni suedez për sfidën ruse?

Nga Rosalba Bejdo
4 Qershor 2026, 22:03 | Bota

Pasi Ukraina deklaroi se do ta bëjë Gripen shtyllën kryesore të forcave të saj ajrore, avioni luftarak suedez më në fund pritet të testohet në rolin për të cilin u projektua: përballjen me Rusinë.

Ukraina ka ndarë 2.5 miliardë euro nga një kredi prej 90 miliardë eurosh e Bashkimit Evropian për të blerë 20 avionë të rinj Gripen E. Gjithashtu, pritet të marrë edhe 16 avionë të modeleve më të vjetra të dhuruar nga Suedia, duke fituar një aset të fuqishëm për mbrojtjen e qyteteve ukrainase.

"Ne kemi nevojë për këta avionë dhe për ne kjo është vërtet një faqe e re për Ukrainën," tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me kryeministrin suedez Ulf Kristersson në bazën ajrore të Uppsalës javën e kaluar.

Douglas Barrie, ekspert i aviacionit ushtarak shprehet: "Në afat të shkurtër, mendoj se Gripen është shumë i përshtatshëm për Ukrainën për shkak të mënyrës se si ukrainasit janë detyruar të operojnë. Natyrisht, bazat ajrore fikse janë të cenueshme. Ajo që nuk dëshironi të bëni është të mbani avionë luftarakë shumë të vlefshëm në të njëjtën bazë për një periudhë të gjatë, sepse rusët mund ta identifikojnë bazën dhe aktivitetin që zhvillohet aty, e më pas të përpiqen t'i dëmtojnë ose shkatërrojnë avionët ndërsa janë ende në tokë.

Për këtë arsye, ukrainasit i lëvizin vazhdimisht avionët e tyre nga një vend në tjetrin. Kjo përputhet shumë mirë me filozofinë sipas së cilës është projektuar Gripeni, për të përmbushur kërkesat e Forcave Ajrore Suedeze për operacione të shpërndara në lokacione të ndryshme.

Aftësia për t'u furnizuar shpejt me karburant, për t'u riarmatosur shpejt në terren dhe për të operuar nga zona të largëta apo edhe nga segmente autostradash, e bën këtë avion veçanërisht të përshtatshëm për nevojat e Ukrainës."

Marrëveshja, e cila mund të zgjerohet deri në 150 avionë të rinj, mund ta vendosë Gripenin përballë forcave ruse brenda një viti. Kjo do të ishte prova e parë e vërtetë luftarake për një avion që prej kohësh vlerësohet për aftësitë e tij, por që nuk është testuar kurrë në një luftë me intensitet të lartë.

Gripeni kreu fluturimin e tij të parë në vitin 1988 dhe është shitur në vende si Brazili dhe Afrika e Jugut. Ai ka marrë pjesë në misione mbikëqyrjeje dhe patrullimi ajror, ndërsa avionët Gripen të Tajlandës janë përfshirë edhe në përplasje të kufizuara me forcat kamboxhiane.

Nënkoloneli dhe pedagogu i Universitetit Suedez të Mbrojtjes, Johan Huovinen, thotë se kjo do të jetë diçka krejtësisht ndryshe. Do të jetë një test kundër sistemeve përballë të cilave ky avion është projektuar të luftojë: Rusisë.

Johan Huovinen thotë: "Kur Gripen doli për herë të parë në treg, ne nuk ishim veçanërisht entuziastë dhe nuk i kuptonim plotësisht përfitimet që mund të sillte. Në atë periudhë bota po ndryshonte, ndërsa po shihnim transformimet që po ndodhnin në bllokun lindor. Por sot, si një investim i madh, Gripeni duket se mund të gjenerojë shumë vende pune dhe të sjellë përfitime të konsiderueshme për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në zhvillimin dhe financimin e tij."

Gripeni nuk ka aftësitë e fshehtësisë ndaj radarëve dhe as rrezen e veprimit të avionëve si F-35 i Lockheed Martin, por ka avantazhe të tjera të rëndësishme. I projektuar për të operuar në një vend që mund të sulmohej nga Rusia, ai është ndërtuar duke i dhënë përparësi qëndrueshmërisë dhe funksionimit të sigurt në kushte të vështira.

Komandanti i skuadriljes së forcave ajrore suedeze, Robin Arvidsson, tregoi se dizajni i avionit lejon që mirëmbajtja bazë të kryhet edhe me doreza të trasha dimri.

Robin Arvidsson shprehet: "Është një avion shumëfunksional që do të thotë se mund të kryejë si misione ajër-tokë, ajër-det ashtu edhe ajër-ajër, në varësi të armatimit dhe pajisjeve që mban në atë moment. Ai është plotësisht i përshtatshëm për këto kushte atmosferike. Në fund të fundit, është projektuar dhe ndërtuar në Suedi për klimën suedeze, dhe kushtet që kemi këtu janë pothuajse të njëjtat me ato që kemi në Suedi."

Ndryshe nga avionë si F-35, të cilët zakonisht operojnë nga baza ajrore të sigurta ose aeroplanmbajtëse, Gripeni mund të ngrihet dhe të ulet pothuajse në çdo rrugë të drejtë. Kjo i lejon avionët të shpërndahen në lokacione të ndryshme dhe i bën më të vështirë për t'u goditur.

Sipas Oleksii Antoniuk nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, një ekip prej vetëm gjashtë personash – një teknik i trajnuar dhe pesë ushtarë – mund ta furnizojë avionin me karburant, ta armatosë dhe ta përgatisë për misionin e radhës në më pak se 10 minuta.

"S'ka asnjë avion tjetër në këtë kategori që ofron këtë kombinim aftësish", thotë ai. Sipas zyrtarit, kostoja e fluturimit të Gripenit është rreth 8,000 dollarë në orë, më pak se një e katërta e kostos së operimit të një F-35, një avantazh shumë i rëndësishëm në një luftë të gjatë konsumimi.

Raketat ajër-ajër Meteor që përdor Gripeni mund të detyrojnë avionët rusë të operojnë më larg vijës së frontit, duke ulur efektivitetin e bombave me rrëshqitje që Rusia përdor gjerësisht.

Douglas Barrie thotë se: "Bëhet fjalë për një avion shumë të aftë. Modelet më të reja që Ukraina mund të sigurojë në të ardhmen janë përmirësuar ndjeshëm dhe adresojnë disa nga kufizimet që kishte versioni fillestar. Kjo është diçka që pritet në evolucionin e çdo avioni luftarak gjatë jetës së tij operacionale.

Gripeni është një avion relativisht i vogël. Nuk mund të thuhet se ka rreze veprimi të kufizuar, por ajo gjendet në nivelin më të ulët krahasuar me disa avionë të tjerë luftarakë, veçanërisht nëse nuk disponon furnizim me karburant në ajër. Megjithatë, kjo nuk është domosdoshmërisht problem për Ukrainën, sepse avionët e saj nuk kanë nevojë të fluturojnë larg për të kryer misione. Fatkeqësisht, lufta po vjen tek ju, jo anasjelltas."

Ekspertët mendojnë se Gripeni është zgjedhje shumë e mirë për Ukrainën, por nuk duhet pritur ndonjë ndryshim revolucionar. Sipas tyre, ai nuk do t'i japë Ukrainës epërsi të plotë ajrore, sepse rrjeti rus i mbrojtjes ajrore tokësore mbetet ende shumë i fuqishëm.

Një tjetër sfidë është prodhimi. Kompania suedeze Saab kishte tashmë 117 Gripen E të porositur përpara se Ukraina të shpallte interesin për 20 avionë të tjerë. Aktualisht ajo prodhon rreth 15 avionë në vit në Suedi dhe synon ta rrisë këtë numër në 20–30 avionë në vit. Saab ka gjithashtu një linjë prodhimi në Brazil, por ekspertët theksojnë se rritja e prodhimit të sistemeve kaq të avancuara teknologjikisht nuk është e lehtë.

Drejtori ekzekutiv i Saab, Micael Johansson, tha se kompania po shqyrton bashkëpunimin me Ukrainën për riparime, mirëmbajtje dhe furnizim me pjesë këmbimi, madje edhe mundësinë e prodhimit lokal në të ardhmen.

Programi Gripen, i financuar nga taksapaguesit suedezë, nuk pati një fillim të lehtë. Ai u përball me kritika për tejkalim kostosh dhe aksidente gjatë fazave të hershme.

Pas një aksidenti të transmetuar drejtpërdrejt në vitin 1989, kur avioni doli nga pista dhe u përmbys në tokë, media suedeze e quajti me ironi "plugu më i shtrenjtë i botës".

Aksionet e Saab janë rritur me më shumë se 850% që nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe kompania po synon kontrata të reja eksporti. Një nga vendet që po shqyrton Gripenin është Kanadaja.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos