Fenomeni zgjerohet, procedimet ulen! Format e shtigjet e reja të pastrimit të parave po humbin gjurmët e krimit

Nga Marjo Brakaj
14 Prill 2024, 15:04 | Ekonomi

Fenomeni po zgjerohet duke gjetur shtigje e forma të reja, por po procedohen më pak persona. Gjatë vitit të shkuar u kapën vetëm 158 vetë me akuzën e pastrimit të parave nga 224 në 2022-shin. Pjesa më e madhe e procedimeve u kryen në Tiranë, ndjekur nga Vlora, Lezha dhe Fieri.

“Në mendimin tim ka shumë më shumë raste për t’u shqyrtuar dhe shumë më shumë vepra ende të paregjistruara”, tha Edison Zaçaj, pedagog ekonomie.

Në uljen e numrit të procedimeve ndikim ka pasur edhe shmangia e rrugëve tradicionale të kalimit të parave dhe kalimi te mënyrat më të sofistikuara. Bursat në call center dhe kriptomonedhat janë dy prej tyre.

 “Pastrimi i parave online zbeh kontrollin dhe gjurmimin e tyre. Përdoren në mënyra të ndryshme. Para  të paligjshme që pastrohen me anë të call center dhe kriptomonedhave”, shtoi ai.

Tashmë sipas edhe Prokurorisë SPAK krimi po përdor bizneset për pastrimin e parave duke iu ofruar një komision deri në 16 për qind.

 “Përdoren kryesisht bizneset në fushën e shërbimeve. Ato janë më të vështirat për t’u gjurmuar”, bëri me dije Zaçaj.

Nga jashtë dhe brenda vendi, në Shqipëri qarkulluan dhe u pastruan vitin e shkuar rreth 666 milionë euro të përftuara nga aktivitete të paligjshme. Pjesa më e madhe e këtyre parave, gati 480 milionë euro hynë nga vende si Britania e Madhe apo Dubai, ndërsa 186.5 milionë u gjeneruan nga aktiviteti kriminal në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos