Ka ardhur koha për të vlerësuar njerëzit si kapital të çmuar, ndaj vendosini ata në qendër të politikave dhe sipërmarrjeve tuaja. Është kjo këshilla kryesore që jep Forumi Ekonomik Botëror për qeveritë dhe bizneset këtë vit. “Unë mendoj se sot më shumë se sa kurrë ne po përballemi me një realitet ku tashmë nuk është punëdhënësi që përcakton rregullat e lojës, por punëmarrësi”, thotw eksperti i çështjeve të punësimit Fatjon Dragoshi.
Në fakt njeriu si kapitali më i çmuar i një vendi është një koncept i hershëm në botën e qytetëruar, por në Shqipëri ka nisur të marrë rëndësi së fundmi. Kjo pasi, veçanërisht në sektorë si turizmi, fasoni dhe bujqësia, mungesa e punonjësve, jo vetëm po pengon zgjerimin, por po kërcënon edhe ekzistencën.
“Sepse shumë prej qytetarëve po tërhiqen nga vende perëndimore. Tashmë jo vetëm ata që janë në hall e në nevojë e që nuk kanë alternativa të tjera, por edhe ndër më të kualifikuarit prej nesh zgjedhin të ikin”. Shprehet Dragashi.
Që krahu lirë i punës ka marrë fund, veç kryeministrit Rama këtu dakord bien edhe ekspertë të tregut të punës. Ndaj sipas tyre ka ardhur koha që më shumë të mendohet për punonjësit se sa për marzhet e fitimit.
“Në këtë sens kompanitë në Shqipëri e kanë çështje jetë a vdekje, do të thosha janë gati të varura tërësisht veçanërisht ndaj të rinjtë. Ndaj planet e tyre të sipërmarrjes duhet të kenë në fokus punonjësin”, thekson eksperti.
Forumi Ekonomik Botëror rekomandon që bashkë me sipërmarrjet, edhe qeveritë duhet të japin kontributin e tyre në drejtim të parandalimit të emigracionit, duke ndërmarrë politika që garantojë zhvillimin e kapitalit njerëzor. (A2 Televizion)