Nga viti 2018 ka rënë ndjeshëm numri i të leshtave në vendin tonë. Numërohen rreth 280 mijë krerë më pak dele deri në 2022 çka flet për situatën e rënduar të blegtorëve.
Përballë kësaj situate, rritja e çmimit të qumështit të deleve nga kompanitë përpunuese për të plotësuar nevojat e tyre, nxiti blegtorët vitet e fundit të investojnë më shumë në prodhimin e qumështit nga të leshtat.
Përpunuesit e ua blenë atyre qumështin nga 80 lekë në 2022 në 180 lekë në 2023. Por për shkak të kostove të përpunimit, ata sot kërkojnë të ulin çmimin e blerjes së qumshtit nga prodhuesit në 120 lekë/litër. Kjo ka nxitur konfliktin mes dy kategorive të këtij zinxhiri ushqimor. Disbalancën në tregun e qumështit ekspertët e lexojnë si një situatë të shkaktuar nga politikat e munguara të qeverisë.
“Mund të gjejmë një zgjidhje të përkohshme por problemi do shfaqet. Patjetër që fermerët kanë të drejtë në kërkesat e tyre dhe ëhstë e vonuar por nga ana tjetër dhe industritë kanë të drejtën e tyre se kostot e përpunimit të tyre janë të larta. Ne kemi krizën e kostove të jetesës që po ndodh në të gjitha vendet”, thotë eksperti Fatos Fico.
Në 2022 nga 1.08 milionë krerë, u prodhuan 69 mijë tonë qumësht, mesatarisht 63 kg secila. Ndër qarqet me prodhimin më të lartë renditet Vlora, Korça, Gjirokastra dhe më pak në Durrës e Lezhë.
“Kemi ulje të fuqisë blerëse dhe rritje të çmimeve. Në këtë situatë nuk janë vetëm prodhuesit industritë por dhe konsumatorët që do paguajnë çmimin në fund. Nuk varet vetëm se përpunuesit do japin çmim më të lartë e prodhuesit më të ulët por fuqia blerëse e konsumatorëve është ulur shumë.”
Autoriteti i Konkurrencës po heton kompanitë më të mëdha të përpunimit të qumështit për situatën e çmimeve dhe ndërkohë është angazhuar të ndërmjetësojë zgjidhjen së konfliktit mes tyre dhe blegtorëve që po protestojnë. Por sipas ekspertëve vëmendja duhet të përqendrohet tek sigurimi i ushqimit të të leshtave dhe subvencionimi i blegtorëve si në vendet e rajonit.
“Është një makijazh nëse ndërhyn autoriteti se situata kërkon zgjidhje me themel që s’është bërë prej kohësh”.
“Duhet të bëjmë më shumë më tepër për të fituar ushqimin. Ushqimet shtesë sigurohen përmes importit pasi ushqimi në mënyrë natyrale s’është i lartë. Ne na mungojnë të dyja të cilat e rrisin prodhimin për blegtorinë.”
Sipas ekspertëve e gjithë situata do të përkthehet në një goditje për konsumatorin final në çmime më të larta.
Nga sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar, rreth 13 mijë tonë është përdorur për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor ndërsa sasia e dedikuar për djathë pësoi rënie me 3,8% duke bërë që edhe çmimet në markete të kapërcenin, për të mos zbritur më. (A2 Televizion)