Pagat nuk ulin dëshirën për emigrim, mbi 8500 shqiptarë kërkuan azil në BE në harkun janar-nëntor 2023

Nga Marjo Brakaj
22 Janar 2024, 14:42 | Ekonomi

Pavarësisht rritjes së pagave, shqiptarët duan të largohen nga vendi. Ndonëse në rënie të lehtë në raport me vitet e mëhershme, mbi 8 mijë e 500 shqiptarë kërkuan azil në një nga vendet e bashkimit europian në harkun e  muajve janar-nëntor 2023.

“Emigracioni justifikohet ose në gjendje lufte, ose fatkeqësi natyrore, tani e kemi individual emigracionin. Qeveria duhet të gjejë shkaqet për ta demotivuar emigracionin dhe jo ta shohë si të drejtë individuale. Shkaqet, ritmi i reformave është shumë i ngadaltë, duhet përmirësuar cilësia e shërbimeve”, tha Ilir Gedeshi, ekspert për çështjet e migracionit.

“Pjesa më e madhe që i shtynë janë 3 indikatorë një punë më e mirë arsim më i mirë shëndetësi më e mirë”, tha Eldisa Cirogu, eksperte e çështjeve të emigracionit.

Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin tregojnë se gjatë vitit të shkuar, pjesa më e madhe e shqiptarëve kërkuan azil në Francë, ndjekur nga Gjermania, Italia, Greqia dhe Holanda.

“Shtet e Rajonit nuk janë më tërheqëse për shkak se nuk ofrojnë ndonjë standard të lartë pagash, Ndaj Perëndimi është kthyer në dekadën e fundit në destinacionin kryesor të shqiptarëve”, tha eksperti.

Në pritje të publikimit të gjetjeve të Cens-it, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në tetë vitet e fundit, numri i të rinjve deri në 24 vjeç është pakësuar me 206 mijë. Nga mbi 1 milionë në 2015-n, në vend tani ka më pak se 812 mijë të rinj e të reja.

“E përkthyer në ekonomi kjo do të thotë më pak krahë pune, rrudhje e të ardhurave e më shumë pensionistë e pagesa nga buxheti i shtetit. Kjo është fotografia e Shqipërisë së 33 viteve demokraci”, tha Cirogu.

Largimi në masë e i vijueshëm i të rinjve ka bërë që mosha mesatare në vend të rritet, duke u rritur me 3.8 vite vetëm në harkun e viteve 2015-2023.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi