Shëndetësia, një nga sektorët më me prioritet në vend do të ketë në dispozicion në 2024 rreth 78.2 miliardë lekë ose 2.5 miliardë lekë më shumë se në vitin aktual.(grafik) Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, Albana Koçiu deklaroi se ndër prioritet e buxhetit te ardhshëm është dhe rritja e pagave për rreth 22 mijë punonjësve shëndetësorë.
“Një tjetër pikë kyçe në buxhet janë edhe vijimi i shtimit të pajisjeve moderne dhe teknologjisë së fundit për të bërë diagnostikimin më të mirë, për të shërbyer më mirë qytetarëve. Pas rehabilitimit të plotë të 20 spitaleve dhe 340 qendrave shëndetësore, deri në fund të vitit 2024, ne do të vijojmë të rikonstruktojmë dhe t’i shtojmë Qendrave Shëndetësore edhe 60 godina të tjera”, tha Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Por për ekspertët e shëndetësisë përballë nevojave që shërbimet mjekësore kanë buxheti nuk është i mjaftueshëm.
“Ka një rënie të interesit për kujdesin shëndetësor, ka një rënie kur bëhet relative në raport me PBB bëhet evidente. Kjo qeveri nuk e ka prioritet shëndetësinë dhe ky buxhet e vërteton këtë gjë. Prej vitesh shëndetësia ka qenë e mangët dhe nuk ka marrë vëmendjen që i takon”.
Krahasuar me vitin aktual, më shumë fonde do të shpërndahen për shërbimet parësore ku përfshihen ato të urgjencës me 1.3 miliardë lekë më shumë, pasuar nga dytësore 0.8 miliardë lekë dhe të shëndetit publik 0.3 miliardë lekë. Më pak lekë do të shkojnë drejt përkujdesit social dhe të përndjekurve politik.
“Investimet zënë 0.1-0.15% të PBB të Shqipërisë gjë që e rendit vendin tonë me shkallën më të ulët të investimeve për shëndetësinë në rajonin europian.”
Buxheti për shëndetësinë në 2024 do të jetë sa 4.1% e PBB. (A2 Televizion)