Tensionet ndezin çmimet, paqja në tregun e karburanteve zgjati pak, nafta i afrohet 200 lekëve

Nga Marjo Brakaj
15 Korrik 2026, 17:14 | Ekonomi

Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë rritur sërish, në më pak se një muaj pas heqjes së Bordit të Transparencës. Një litër naftë po shitet në pikat e karburanteve për 198 lekë, ndërsa benzina për 188 lekë për litër.

Mira Pogaçi, Drejtoresha e Bashkimit Tregtar Shqiptar, shprehet:  "Çmimi i karburanteve në Shqipëri ndikohet pothuajse tërësisht nga tregjet ndërkombëtare, pasi vendi ynë mbulon nevojat kryesisht përmes importeve. Sa herë që krijohen tensione gjeopolitike ose pasiguri për furnizimin me naftë, bursat reagojnë menjëherë me rritje të çmimeve. Ky efekt transmetohet në një kohë shumë të shkurtër edhe në tregun shqiptar dhe përkthehet në një kosto më të lartë për konsumatorët."

Tensionet e rindezura në Lindjen e Mesme kanë shtyrë lart çmimin e naftës në bursat ndërkombëtare, ndërsa efekti është reflektuar menjëherë edhe në tregun shqiptar. Shqipëria mbetet vendi me karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër vendet me çmimet më të larta në Evropë.

“Në çmimin final që paguan konsumatori nuk ndikon vetëm vlera e naftës në bursë. Peshë të konsiderueshme kanë taksat, kostot e transportit, magazinimit dhe elementë të tjerë të zinxhirit të furnizimit. Për këtë arsye, edhe kur çmimet ndërkombëtare lëvizin me pak dollarë për fuçi, në Shqipëri efekti mund të jetë më i ndjeshëm dhe karburanti vijon të mbetet ndër më të shtrenjtët në rajon", shprehet Pogaçi.

Paqja e brishtë zgjati vetëm tre javë.. Po aq edhe çmimet “normale” të karburanteve. Nga më pak se 72 dollarë për fuçi javën e shkuar, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në bursë është rritur në mbi 78 dollarë për fuçi. Kjo pas rinisjes së sulmeve amerikane në Iran.

"Ecuria e çmimeve do të varet kryesisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe nga situata gjeopolitike. Nëse tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen ose krijohen pengesa në furnizimin me naftë, presioni mbi çmimet mund të vazhdojë. Në të kundërt, një stabilizim i situatës do të ndikonte gradualisht edhe në uljen e çmimeve në tregun vendas, megjithëse zakonisht ky proces është më i ngadaltë", thotë Pogaçi.

Shqipëria është vendi i parë në rajon, i shtati në Europë dhe i 10-i në botë për çmimin më të lartë të naftës. Shqipëria le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.77 euro për litër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos