Nafta kërcen në 188 lekë për litër, raketat ndezin bursat në botë, karburantet rrisin çmimet në Shqipëri

Nga Marjo Brakaj
13 Korrik 2026, 17:07 | Ekonomi

Nafta kërcen në 188 lekë për litër, raketat ndezin

Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë rritur sërish, vetëm tre javë pas heqjes së Bordit të Transparencës.

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shtyrë lart çmimin e naftës në bursat ndërkombëtare, ndërsa efekti është reflektuar menjëherë edhe në tregun shqiptar. Shqipëria mbetet vendi me karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër vendet me çmimet më të larta në Evropë.

 “Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Kanë qenë muaj me luhatje të çmimeve, por ato prej dy javësh kanë ardhur duke u reduktuar, çmimet në bursë ka rënë. Siç është bërë me dije ngushtica e Hormuzit do të zhbllokohet dhe tregu i hidrokarbureve është stabilizuar”.

Paqja e brishtë zgjati vetëm tre javë.. Po aq edhe çmimet “normale” të karburanteve. Nga më pak se 72 dollarë për fuçi javën e shkuar, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në bursë është rritur në mbi 78 dollarë për fuçi. Kjo pas rinisjes së sulmeve amerikane në Iran.

Maksim Caslli, ekspert i tregjeve të investimeve, shprehet: “Pamë një rritje me 4 dollar në pak orë. kjo edhe si pasojë  spekulimeve. Gjykoj se nuk do të zgjasë shumë kjo luhatje”.

Megjithëse në distancë mbi 1 mijë e 700 kilometra, konflikti në Lindjen e Mesme vijon të përcjellë shpejt dhe fortë efektet në Shqipëri. Një litër naftë aktualisht po shitet deri në 188 lekë litri, nga 176 lekë që ishte me vendimin e fundit të bordit të transparencës. Ndërsa benzina ka arritur deri në 184 lekë për litër nga 166 lekë rreth tre javë më parë.

 “Na ka ikur truri. Janë rritur çmimet. Nuk është e këndshme po... Shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat që marrim”, shprehet një drejtues automjeti.  

Shqipëria është vendi i parë në rajon, i shtati në Europë dhe i 10-i në botë për çmimin më të lartë të naftës. Shqipëria le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.77 euro për litër.

Maksim Caslli, ekspert i tregjeve të investimeve, thotë: “Pak në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kryesisht në mënyrë të tërthortë. Efektet po ndihen në tregjet europiane nga ku Shqipëria importon më shumë. Kjo rrjedhimisht na bën më të ekspozuar”.

Çmimet e karburanteve në Shqipëri mund të rriten më tej. Kjo, jo nga zhvillimet në Lindjen e Mesme që kanë shtrenjtuar naftën në bursa, por nga vetë qeveria. Në duzinën e taksave që rëndojnë në çdo litër naftë e benzinë do të shtohen edhe dy tarifa të tjera... gjurmimi dhe rezerva kombëtare e sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos